| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Gërvalla: Reforma në drejtësi synon çlirimin e sistemit nga krimi dhe korrupsioni
Bashkëpunimi me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm për t’i çuar këto procese përpara dhe për të forcuar besimin në institucionet e drejtësisë”, tha Gërvalla gjatë takimit me shefin e ri të Misionit të EULEX-it, Antero Lopes.
Gërvalla: Reforma në drejtësi synon çlirimin e sistemit nga krimi dhe korrupsioni
Gërvalla: Reforma në drejtësi synon çlirimin e sistemit nga krimi dhe korrupsioni / َAA

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim shefin e ri të Misionit të EULEX-it, Antero Lopes, me të cilin ka diskutuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe thellimin e reformave në drejtësi.

Nëpërmjet një njoftimi për media nga Ministria e Drejtësisë, bëhet e ditur se Gërvalla konsideroi që reformat në drejtësi janë të domosdoshme për konsolidimin e shtetit të së drejtës, duke e theksuar rëndësinë e vendosmërisë politike, integritetit institucional dhe zbatimit të barabartë të ligjit.

“Reformat në drejtësi nuk janë zgjedhje politike e një momenti, por domosdoshmëri për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Reformat në drejtësi kërkojnë vendosmëri politike, institucione me integritet dhe zbatim të barabartë të ligjit. Bashkëpunimi me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm për t’i çuar këto procese përpara dhe për të forcuar besimin në institucionet e drejtësisë”, tha Gërvalla.

Duke folur për proceset reformuese në drejtësi, Gërvalla përmendi funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut dhe miratimin e pakos ligjore të reformës në drejtësi.

“Funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesi i Vetingut dhe miratimi i pakos ligjore të reformës në drejtësi janë pjesë e një procesi të gjerë reformues për çlirimin e sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm nga krimi e korrupsioni, ndikimet e paligjshme e të pandershme dhe konfliktet e interesit, me qëllim të vetëm; forcimin e integritetit, pavarësisë dhe besueshmërisë së shtetit të së drejtës”, tha tutje Gërvalla.

Bëhet e ditur se në takim, ministrja Gërvalla diskutoi edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it në monitorimin e sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë në trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë