Në Shqipëri është zhvilluar ceremonia e hapjes së degës së bankës turke Ziraat Bank me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve turke dhe shqiptare.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e zyrave të bankës Ziraat në Tiranë ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Zëvendësministri i Thesarit dhe Financave i Türkiyes Abdullah Erdem Cantimur, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Ziraat, Alpaslan Çakar dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare.
Rama, në deklaratën e tij, ndër të tjerat tha se: "Ju (Banka Ziraat) jeni një nga bartësit më krenarë të flamurit të ekonomisë turke, prandaj është një nder i madh t'ju mirëpresim".
Rama theksoi se Banka Ziraat ka jo vetëm përvojë në Türkiye, por edhe përvojë ndërkombëtare, duke shtuar se presin që hapja e bankës në vend të sjellë një vlerë të madhe për tregjet.
"Sigurisht që do të krijoni një mjedis edhe më të madh konkurrues", tha Rama.
- "Jam plotësisht i bindur se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen në çdo fushë"
Ambasadori turk Erciyes theksoi se "I uroj suksese Bankës Ziraat. Besoj se prania e saj këtu do të sjellë shumë përfitime dhe do të mundësojë zhvillimin e marrëdhënieve tona ekonomike dhe dypalëshe".
"Jam plotësisht i bindur se, nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministrit Rama, marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen në çdo fushë", shtoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Ziraat, Alpaslan Çakar, tha se Banka Ziraat, me historinë e saj të rrënjosur prej 163 vitesh, është një nga institucionet më të fuqishme dhe më prestigjioze të Turqisë.
Çakar theksoi se në Shqipëri nuk po hapin vetëm një pikë të re shërbimi. "Njëkohësisht, përmes një investimi konkret, po dëshmojmë besimin tonë në miqësinë e rrënjosur mes Turqisë dhe Shqipërisë, në besimin e ndërsjellë dhe në të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik, i cili po zhvillohet dita-ditës", tha ai.























