Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka bërë të ditur se shërbimet polake dhe ukrainase të sigurisë gjatë natës kanë shmangur një “kërcënim të drejtpërdrejtë” ndaj një pike kufitare, si dhe ka paralajmëruar se Polonia duhet të përgatitet për provokime të tjera të lidhura me Rusinë.
Sipas transmetuesit publik TVP World, Tusk bëri të ditur incidentin pas një takimi në Sllovaki të udhëheqësve të Grupit të Vishegradit, i përbërë nga Çekia, Hungaria, Sllovakia dhe Polonia, por nuk specifikoi natyrën e kërcënimit dhe as pikën kufitare në fjalë.
“Mbrëmë, falë bashkëpunimit mes shërbimeve tona dhe homologëve të tyre ukrainas, u shmang një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj një pike kufitare”, tha Tusk.
Ai paralajmëroi se Rusia më parë ka kryer “sulme provokuese” ndaj pikave kufitare, përfshirë në Moldavi dhe tha se Polonia duhet të presë veprime të ngjashme, përfshirë akte të mundshme sabotimi.
Deklaratat e kryeministrit Tusk erdhën një ditë pasi, sipas zyrtarëve ukrainas, dronët rusë goditën pikën kufitare Starokozache në rajonin jugor Odesa të Ukrainës, pranë Moldavisë, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur tre të tjerë.
Kryeministri polak gjithashtu tha se kishte marrë një “raport mjaft të saktë” nga drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së ShBA-së (CIA), John Ratcliffe, për zhvillimet e mundshme në muajt e ardhshëm, duke paralajmëruar se Polonia dhe Evropa duhet të jenë të përgatitura për skenarë të ndryshëm në krahun lindor të BE-së.
















