Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në raportin e saj të fundit ka bërë të ditur se furnizimi global me naftë në muajin gusht ra me 1,6 milion fuçi në ditë, në 100.1 milionë fuçi në ditë në gusht, pasi pengesat në transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe sulmet ndaj infrastrukturës vazhduan të ndikojnë negativisht në prodhim.
Sipas Raportit të Tregut të Naftës të IEA-së, rënia u shkaktua nga prodhimi më i ulët i grupit OPEC+, i cili gjatë muajit ra me 1,5 milion fuçi në ditë, në 33,1 milionë fuçi në ditë. Prodhimi i Arabisë Saudite ra me 2,3 milionë fuçi në ditë, në 6 milionë fuçi në ditë, niveli më i ulët në 30 vjet.
Prodhimi i naftës së papërpunuar nga OPEC+ ra me afro 1,84 milion fuçi në ditë në gusht krahasuar me korrikun, duke zbritur në 38,78 milionë fuçi në ditë. Rënia u ndikua nga humbjet e prodhimit në Arabinë Saudite dhe kufizimet në furnizimin iranian për shkak të bllokadës detare amerikane.
Ndërkohë, prodhimi jashtë OPEC+ u rrit me rreth 240 mijë fuçi në ditë, në 61,32 milionë fuçi në ditë, i nxitur nga rritja e prodhimit të hidrokarbureve të lëngshme në ShBA dhe prodhimi më i lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Furnizimi nga prodhuesit jashtë OPEC+ u udhëhoq nga të ashtuquajturit “Pesëshja Amerikane”, ku përfshihen ShBA-ja, Kanadaja, Brazili dhe Guajana, të cilët pritet të shtojnë 1,4 milion fuçi në ditë në prodhim gjatë vitit 2026 dhe 1 milion fuçi në ditë në vitin 2027.
Prodhimi i naftës në Gjirin Persik bie me afër 2 milionë fuçi në ditë në gusht
Furnizimi me naftë nga prodhuesit e Gjirit ra me afër 2 milionë fuçi në ditë, në 21,9 milionë fuçi në ditë në gusht, duke mbetur 10,1 milionë fuçi në ditë nën nivelet e regjistruara para luftës së ShBA-së dhe Izraelit me Iranin.
IEA-ja ka shtyrë deri në vitin 2027 parashikimin për rimëkëmbjen e prodhimit të naftës në Gjirin Persik. Agjencia pret që furnizimi global me naftë këtë vit të bjerë me 5,7 milionë fuçi në ditë në bazë vjetore, në rreth 100.7 milionë fuçi në ditë.
Vitin e ardhshëm, furnizimi global me naftë parashikohet të rritet me rreth 8 milionë fuçi në ditë, në 108.7 milionë fuçi në ditë, me rimëkëmbjen e prodhimit në Gjirin Persik.
IEA-ja ul parashikimin për kërkesën për naftë
IEA-ja uli me 940 mijë fuçi në ditë parashikimin për kërkesën globale për naftë për këtë vit krahasuar me raportin e muajit të kaluar, duke përmendur ndërprerjet e vazhdueshme në zinxhirët ndërkombëtar të furnizimit me naftë për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit dhe ndikimin e çmimeve rekord të karburanteve në konsum.
Sipas parashikimit, kërkesa globale për naftë pritet të bjerë me 2,5 milionë fuçi në ditë në bazë vjetore në vitin 2026.
Duke supozuar normalizimin e situatës, kërkesa globale për naftë pritet t’i rikthehet rritjes në vitin 2027, duke u shtuar me 2,6 milionë fuçi në ditë dhe duke arritur në 105 milionë fuçi në ditë.



















