| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Katari i cilëson sanksionet e reja të ShBA-së ndaj Iranit “të njëanshme”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari, tha në një konferencë javore se Katari mbetet mbështetës i përpjekjeve të ndërmjetësimit për ta zgjidhur konfliktin dhe për të rikthyer ShBA-në dhe Iranin në tryezën e bisedimeve.
Katari i cilëson sanksionet e reja të ShBA-së ndaj Iranit “të njëanshme”
Katari i cilëson sanksionet e reja të ShBA-së ndaj Iranit “të njëanshme” / َAA

Katari tha të martën se sanksionet e reja amerikane ndaj Iranit janë "të njëanshme", duke theksuar se Doha i vazhdon përpjekjet e saj ndërmjetësuese për ta zgjidhur konfliktin midis Teheranit dhe Uashingtonit përmes negociatave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari, tha në një konferencë javore se Katari mbetet mbështetës i përpjekjeve të ndërmjetësimit për ta zgjidhur konfliktin dhe për të rikthyer ShBA-në dhe Iranin në tryezën e bisedimeve.

Ai tha se kontaktet e Katarit me palët kanë vazhduar javët e fundit, por nuk ka pasur zhvillime të reja në procesin e ndërmjetësimit.

Ansari theksoi se të gjitha vendet e Gjirit mbështesin arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit ShBA-Iran, duke thënë se ekziston një koordinim i plotë midis shteteve të Gjirit për t'u marrë me skenarë të ndryshëm që dalin nga çdo përshkallëzim.

Ai paralajmëroi se përshkallëzimi i mëtejshëm do të kishte pasoja më të gjera si për rajonin ashtu edhe për botën.

Në Ngushticën e Hormuzit, Ansari tha se rivendosja e lundrimit normal përmes rrugës ujore strategjike mbetet një nga prioritetet e Katarit.

Ai tha se situata në ngushticë duhet të kthehet në atë që ishte para konfliktit, duke theksuar nevojën për ta garantuar lirinë e lundrimit.

Ansari akuzoi Iranin për mbylljen e Hormuzit në shkelje të lirisë së lundrimit sipas ligjit ndërkombëtar.

Ai gjithashtu hodhi poshtë përpjekjet e Iranit për të përfshirë vendet në rajon sa herë që Teherani vihet nën sulm nga një palë e tretë.

Ansari theksoi se Katari nuk e mbështet njërën palë kundër tjetrës, duke thënë se prioritet është arritja e një marrëveshjeje mes palëve.

ShBA-ja nisi të hënën atë që e quajti “Operation Economic Outcast”, një fushatë sanksionesh gjithëpërfshirëse që e synon izolimin e Iranit nga sistemi financiar global.

Në Gaza, Ansari bëri thirrje për presion ndaj Izraelit për ta përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit sipas planit të presidentit amerikan Donald Trump.

“Nëse Izraeli dëshiron të bëhet pjesë e rajonit, ai duhet t'i përmbushë detyrimet e tij”, shtoi ai.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë