| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Gjashtë vatra zjarri aktive në Shqipëri
Situata më problematike paraqitet në malin e Dajtit. Vatrat e tjera aktive raportohen në Ballenjë të Dibrës, Qafë të Helmës në Bulqizë dhe Malin e Dardhës në Librazhd.
Gjashtë vatra zjarri aktive në Shqipëri
Gjashtë vatra zjarri aktive në Shqipëri. Forcat Tokësore të Shqipërisë / FB

Në Shqipëri janë raportuar 24 vatra zjarri deri në orën 20:00, njofton Ministria e Mbrojtjes, nga ku forcat po ndërhyjnë për shuarjen e flakëve në gjashtë vatra aktive. 

Operacioni kryesor po zhvillohet në malin e Dajtit, ku zjarri vijon në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren janë angazhuar 40 zjarrfikës, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe shtatë punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, ndërsa nga ajri po ndërhyjnë një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.

Vatra të tjera aktive raportohen në Ballenjë të Dibrës, Qafë të Helmës në Bulqizë dhe Malin e Dardhës në Librazhd, ku zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se aktualisht nuk rrezikohen zona të banuara.

Ndërkohë, zjarret në zonën Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun të Pukës janë izoluar dhe ekipet po vijojnë vetëm monitorimin.

Në operacionet e zhvilluara gjatë ditës u angazhuan gjithsej 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse, me mbështetjen e Forcave të Armatosura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e monitoron situatën në gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat vendore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë