| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Irani propozon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe shtyrjen e bisedimeve për programin bërthamor
"Plani synon t'i japë fund luftës shpejt duke anashkaluar mosmarrëveshjen për pasurimin e uraniumit ndërsa ShBA-ja shqyrton propozimin", thotë "Axios".
Irani propozon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe shtyrjen e bisedimeve për programin bërthamor
FILE PHOTO: Illustration shows USA and Iran flags / Reuters

Irani ka propozuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e luftës, ndërkohë që i ka shtyrë negociatat për programin bërthamor në një fazë të mëvonshme.

Propozimi iu përcoll ShBA-së nëpërmjet ndërmjetësve, përfshirë Pakistanin, mes një ngërçi diplomatik mbi programin bërthamor të Iranit, raportoi faqja e lajmeve "Axios". Burimet thanë se plani synon të anashkalojë mosmarrëveshjet mbi pasurimin e uraniumit në favor të një marrëveshjeje më të shpejtë të përqendruar në heqjen e bllokadës dhe rivendosjen e trafikut detar, sipas medias.

Sipas propozimit, një armëpushim do të zgjatet për një periudhë të gjatë ose do të bëhet i përhershëm ndërsa bisedimet mbi programin bërthamor do të fillojnë vetëm pasi të rihapet ngushtica dhe të hiqen kufizimet. Një zyrtar amerikan dhe burime të njohura me diskutimet thanë se Shtëpia e Bardhë e ka marrë propozimin, por nuk ka treguar nëse do ta ndjekë atë.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, pritet të mbajë sot një takim të Dhomës së Situatave me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare për të diskutuar bllokimin dhe hapat e mundshëm të mëtejshëm. Ai tha se preferon të mbajë bllokadën detare në portet iraniane për të rritur presionin mbi Teheranin.

Përpjekjet diplomatike u intensifikuan gjatë fundjavës, me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi që zhvilloi bisedime në Islamabad të Pakistanit dhe Muskat të Omanit, duke u përqendruar në ngushticë.

Ai mbërriti sot në Shën Petersburg të Rusisë për bisedime të nivelit të lartë me presidentin rus, Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë. "Këto janë diskutime të ndjeshme diplomatike. ShBA-ja ka letrat në dorë", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales.

Irani dhe ShBA-ja zhvilluan bisedime në Islamabad më 11-12 prill, por nuk arritën marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit të tyre. Negociatat erdhën pasi Pakistani ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor më 8 prill, i cili u zgjat më vonë nga Trumpi.

Megjithëse përpjekjet për një raund tjetër bisedimesh janë duke u zhvilluar, disa nga pikat e ngërçit thuhet se janë Ngushtica e Hormuzit, bllokada amerikane e porteve iraniane dhe e drejta e Iranit për të pasuruar uranium.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë