Katër persona raportohet se kanë humbur jetën që nga e hëna për shkak të temperaturave të larta në Itali, ku 25 qytete mbetën në alarm të kuq të martën, sipas Sky TG24.
Që nga e hëna, raportohet se kanë ndërruar jetë një 86-vjeçar dhe një 74-vjeçare, të cilët ishin tashmë të shtruar në spital në Genova, një bojaxhi 64-vjeçar që po punonte në një hotel në Padova, si dhe një punëtor bujqësor maroken 55-vjeçar në Mantova.
Ndërsa temperaturat e larta vazhdojnë në të gjithë vendin, 25 qytete do të jenë në alarm të kuq të martën dhe të mërkurën.
Megjithatë, në disa pjesë të Italisë, moti i nxehtë nisi t’u lërë vend stuhive dhe reshjeve të shiut.
Në të gjithë Toskanën, moti i keq shkaktoi rrëzimin e shumë pemëve dhe solli ndërprerje në trafik.
Reshje shiu dhe stuhi priten më vonë gjatë ditës, veçanërisht në zonat e Alpeve dhe në zonat e brendshme të Italisë qendrore dhe jugore.






















