Kur gjiganti turk i mbrojtjes Roketsan përfundoi qitjet provuese të raketës së tij lundurese kundërtank me rreze të shkurtër veprimi Karaok, kjo shënoi edhe një tjetër moment historik në përpjekjet e vendit për të arritur vetëmjaftueshmëri në sektorin ushtarak.
Roketsan simuloi katër skenarë të ndryshëm lufte me Karaokun, që do të thotë shigjetë e zezë, duke "arritur goditje direkte" në çdo rast.
“E patrembur, e sigurt për të goditur”, shkroi drejtori ekzekutiv i kompanisë Roketsan, Murat Ikinci, në rrjetet sociale, duke e theksuar fuqinë dhe saktësinë e Karaokut.
Rezultatet kryesore të qitjeve përfshinin goditje direkte në largësi prej 76 dhe 400 metrash, ndërsa sulmet nga lart u kryen në largësi prej 1.400 dhe 2.050 metrash. Kjo konfirmon fleksibilitetin e sistemit në angazhimin e targeteve të ndryshme në skenarë të ndryshëm lufte.
Sipas Defence Turk, Karaok klasifikohet si raketë kundërtank portative me rreze të shkurtër veprimi, në kategorinë "qit dhe harro". Ajo operohet nga një ushtar i vetëm dhe mund të funksionojë ditë e natë falë kokës së saj kërkuese me infra të kuqe.
Sistemi peshon më pak se 16 kilogramë, mat rreth 110 centimetra në gjatësi dhe është e pajisur me krahë dhe pendë të palosshme në formë kryqi, të cilat rrisin portabilitetin dhe manovrueshmërinë e saj.
Raketa është e pajisur me një kokë luftarake tandem (të dyfishtë) të aftë për të shpuar blindazhin reaktiv, si dhe me një motor raketë hibrid me dy faza të zhvilluar vendas (faza e nisjes dhe faza e fluturimit), e projektuar për të lejuar qitjen nga hapësirat e mbyllura.
Sistemi ofron një shumëllojshmëri mënyrash angazhimi, duke përfshirë kyçjen e targetit para ose pas nisjes, si dhe aftësinë për të ekzekutuar goditje direkte ose nga lart, duke targetuar pikat më të dobëta të automjeteve të blinduara.
Karaok u shënua në tregun e eksportit në vitin 2023, pasi fitoi një tender të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Malaizisë, i cili kërkonte përputhshmëri me standardet e NATO-s. Sipas marrëveshjes, Ushtria Malajziane do të furnizohet me 18 lançues për sistemin, të plotë me raketa, për t’i zëvendësuar sistemet ruse Metis-M që janë aktualisht në shërbim.
Rëndësia taktike
Analisti i mbrojtjes Teoman E. Nijanci nga portali ushtarak Army Recognition beson se rëndësia taktike e serisë së fundit të testeve shkon përtej saktësisë së goditjeve.
Ajo qëndron gjithashtu në natyrën e skenarëve në të cilët u testua arma, të cilët kombinuan angazhimet në distancë të shkurtër me profile të ndryshme sulmi.
Goditja e arritur në 76 metra nuk është thjesht një rezultat numerik - ajo pasqyron testimin e sistemit në kushte angazhimi të papritur dhe të afërt, ambienti më kompleks dhe më i rrezikshëm në luftën e blinduar, veçanërisht në terrene komplekse si linjat e pyjeve, pozicionet e fortifikuara, periferitë urbane dhe vendet e pritave.
Goditja direkte në 400 metra e përforcon këtë vlerësim, pasi kjo distancë përfaqëson një zonë kritike angazhimi që u jep ekipeve kundërtank kohë shumë të kufizuar për të marrë vendime dhe për ta ekzekutuar goditjen përpara se targeti të manovrojë, të kërkojë zjarr mbështetës ose të gjejë strehim.
Në kontrast, sulmet nga lart në 1.400 dhe 2.050 metra demonstrojnë aftësinë e sistemit për t’i targetuar pikat më të dobëta në sipërfaqet e sipërme të automjeteve të blinduara, duke ruajtur njëkohësisht një distancë më të madhe sigurie për ekipin e nisjes, duke reduktuar kështu rrezikun e zjarrit të kthimit.
Duke folur për TRT Haber, eksperti i industrisë së mbrojtjes Kubilay Yildirim shpjegoi se të kuptuarit e rrugës së zhvillimit të sistemeve turke të raketave kundërtank kërkon të kthehemi disa vite prapa, kur Ankara po kërkonte, krahas raketave të rrezes së mesme, një sistem që një ushtar i vetëm mund ta mbante dhe niste lehtësisht.
Ai vuri në dukje se kjo rrugë filloi në vitet 1990 nëpërmjet bashkëpunimit midis një kompanie franceze dhe Korporatës së Industrisë Mekanike dhe Kimike (MKE).
Megjithatë, projekti u anulua në vitin 2004 për shkak të problemeve nga ana tjetër, duke e shtyrë Türkiyen ë të vendosë për zhvillim vendor. Kjo hapi rrugën për punën mbi sistemin e raketave kundërtank me rreze të gjatë veprimi (UMTAS).
Yildirim theksoi se projekti UMTAS u lançua me kërkesa ambicioze dhe dalluese që nga fillimi, duke shënuar një moment vendimtar në evolucionin e industrisë së mbrojtjes turke.
Një hap kyç ishte zhvillimi i një sensori termik të paftohur me rezolucion të mjaftueshëm dhe ndjeshmëri të lartë termike, që mund të montohej në një raketë me kosto të pranueshme, së bashku me krijimin e infrastrukturës së nevojshme për prodhimin e sensorëve të tillë.
Sfidat shkuan më tej, duke përfshirë zhvillimin e një sistemi transmetimi të të dhënave për ta dërguar imazhin tek operatori, aftësinë për ta kontrolluar raketën gjatë fluturimit kur kërkohet, dhe mundësinë e saj për të identifikuar dhe goditur targetin e saj në mënyrë autonome në modalitetin "qit dhe harro".
Zhvillimi i procesorëve dhe algoritmeve të nevojshme për këto funksione përfaqësoi një provë të madhe - dhe një nga arritjet më të rëndësishme cilësore, të industrisë së mbrojtjes turke.
Zgjuarsia turke
Yildirim shpjegoi se sistemi OMTAS me rreze të mesme veprimi u dallua jo vetëm për arkitekturën e tij të lundrimit, por edhe për karakteristikat e tij të fluturimit dhe impaktit.
Një nga kërkesat thelbësore të projektit që nga fillimi ishte që raketa të ishte e aftë të nistej nga hapësirat e mbyllura. Kjo kërkoi të sigurohej që operatorit të mos i shkaktohej asnjë dëm, gjë e cila u arrit duke përdorur një motor nisje me presion të ulët.
Ai shtoi se sistemi lejon angazhimin e targeteve edhe kur ato janë pas pengesave. Kërkesat përfshinin gjithashtu aftësinë për të goditur sipërfaqet e sipërme të automjeteve të blinduara, pikat e tyre më të dobëta, një aftësi e arritur me sukses nga familja OMTAS.
Yildirim vuri në dukje se shumëllojshmëria e opsioneve të nisjes, fluturimit, lundrimit dhe impaktit u ofron përdoruesve fleksibilitet të lartë. Raketa mund të niset nga një pozicion i fshehur, pas së cilës ekipi mund të zhvendoset shpejt dhe të qasë përsëri nga një vendndodhje tjetër.
Sipas ekspertit, operatori mund të kontrollojë gjithashtu raketën gjatë fluturimit kur niset nga pas strehimit dhe ta ridrejtojë drejt targetit më të përshtatshëm, qoftë në largësi që kalojnë katër kilometra, në zona të ngushta, ose edhe në ambiente urbane në distanca më të vogla se 100 metra.
Ai theksoi se modaliteti "sulm nga lart" është një nga aftësitë e rëndësishme të këtij lloji rakete, duke pasur parasysh efektivitetin e tij në targetimin e pikave më të dobëta të automjeteve të blinduara.
Yildirim shpjegoi se pas zhvillimit të sistemeve UMTAS me rreze të gjatë dhe OMTAS me rreze të mesme, lindi nevoja për një raketë kundërtank që një ushtar i vetëm mund ta mbante dhe ta niste lehtësisht.
Kjo çoi në lançimin e projektit "TEK AT" në vitin 2010, i cili përfundimisht rezultoi në raketën Karaok. Sistemi hyri në shërbim me njësitë ushtarake midis viteve 2020 dhe 2021.
Ai shtoi se një nga avantazhet e spikatura të "Karaok" është se është më i lehtë se homologu i tij global, Javelin, ndërkohë që posedon sisteme optike dhe sensorë më të avancuar.
Edhe pse pesha e tij është e ngjashme me atë të Raybolt-it koreanojugor, Karaok ofron një rreze maksimale më të gjatë dhe një rreze minimale më të shkurtër, duke e rritur fleksibilitetin dhe efektivitetin e tij në fushën e betejës.




















