| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Debate për çështjen e Zëvrnecit në Kuvendin e Shqipërisë
Gjatë seancës së sotme u mbajt interpelanca me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, për çështjet në lidhje me statusin dhe ecurinë e projektit në Zvërnec.
Debate për çështjen e Zëvrnecit në Kuvendin e Shqipërisë
Debate për çështjen e Zëvrnecit në Kuvendin e Shqipërisë / AA

Kuvendi i Shqipëri është mbledhur në seancë plenare ku është diskutuar për çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, ndërkohë seanca është shoqëruar edhe me debate.

Gjatë seancës së sotme u mbajt interpelanca me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, për çështjet në lidhje me statusin dhe ecurinë e projektit në Zvërnec, respektimin e ligjit për zonat e mbrojtura, transparencën e masave për mbrojtjen e turizmit dhe biodiversitetit, kërkuar nga deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD).

Gjatë fjalës në seancë Jaupaj u shpreh se për çështjen në Zvërnec janë ngritur pretendimet sikur procedura mjedisore është anashkaluar, por sipas tij faktet tregojnë të kundërtën.

"Sot Shqipëria ka 22 për qind të territorit të saj zonë të mbrojtur. Sot Shqipëria ka rrjetin më të zhvilluar të zonave të mbrojtura në Ballkanin Perëndimor. Sot Shqipëria është i vetmi vend në rajon me një administratë për zonat e mbrojtura të shtrirë në gjithë territorin e vendit. Interpelanca e sotme lidhet me një projekt që ka ngjallur debat publik dhe interes të gjerë. Është debat i shëndetshëm dhe i nevojshëm. Por, kur flasim për çështje që lidhen me mjedisin, investimet dhe zhvillimi duhet të mbështetemi tek faktet, ligji dhe shkenca", tha ai.

Jaupaj tha se shteti shqiptar ka vendosur që vendimi për aspektet mjedisore për projektin që do të paraqitet të mbështetet mbi evidencën shkencore, ekspertizë profesionale dhe standardet më të larta të legjislacionit mjedisor shqiptar dhe evropian.

"Mbrojtja e natyrës nuk duhet të bazohet mbi deklarata politike, duhet të bazohet mbi fakte, studime dhe vlerësime profesionale. Zona është shpallur peizazh i mbrojtur kategoria pesë dhe nuk është kategori ku ndalohet çdo aktivitet njerëzor", theksoi Jaupaj.

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, u shpreh në seancë se Ministria e Mjedisit duhet të japë llogari para shqiptarëve për zonat e mbrojtura dhe sipas saj për pasurinë e përbashkët të shqiptarëve.

Gjatë seancës deputetët e PD-së mbanin në duar pankarta pro protestave të fundit, ndërkohë bënë thirrje edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë