Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se po shqyrton kandidimin për postin e kryeministrit dhe se planifikon të japë dorëheqje nga posti i presidentit.
I pyetur nëse planifikon të japë dorëheqje në tre deri në katër muajt e ardhshëm, Vuçiq tha për Radio Beograd 1 se kjo mund të ndodhë “ndoshta edhe më herët”.
“Dhe nuk do t’i them popullit se e kam shkurtuar mandatin, por do të them se kam dhënë dorëheqje”, tha Vuçiq, duke shtuar se kjo nuk do të jetë befasi për askënd.
Lidhur me kandidimin për kryeministër, ai tha se në parti “po mendojnë për këtë çdo ditë”.
“Kemi tani një takim të rëndësishëm dhe sonte në orën tetë do të kemi gjithashtu një takim të rëndësishëm”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se ka filluar të paketojë librat në Presidencë.
I pyetur nëse Partia Progresive Serbe po mendon për një kandidat presidencial për zgjedhjet e ardhshme, Vuçiq u përgjigj se po, por se ende nuk do ta bëjnë publik emrin e kandidatit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në tubimin e 27 qershorit, ku, sipas tij, do të flasë për planet, programet dhe paketat që ka përmendur më herët.
“Do të tregojmë edhe emrin e listës. Do të flasim edhe për parimet sipas të cilave do të përbëhet lista. Do të kemi një numër të madh studentësh, të rinjsh dhe njerëzish energjikë, për të treguar këtë ndryshim, ashtu siç bëjnë kompanitë më të suksesshme në botë. Ne do të krijojmë një listë studentore, por edhe listën më serioze, listën e njerëzve më të përgjegjshëm, ku sigurisht do të ketë edhe studentë, në mënyrë që njerëzit, kur të duan të votojnë për studentët, të votojnë për listën tonë”, tha Vuçiq.






















