| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Italia e konsideron Türkiyen partnere kyçe për sigurinë evropiane
Ambasadori italian Manzo tha se pozitat gjeografike të të dy vendeve, Italia në Mesdhe dhe Türkiyes në kryqëzimin e Evropës me Azinë, ofrojnë mundësi për zhvillimin e qasjeve të reja ndaj sfidave rajonale dhe ndërkombëtare.
Italia e konsideron Türkiyen partnere kyçe për sigurinë evropiane
Italia e konsideron Türkiyen partnere kyçe për sigurinë evropiane

Italia e konsideron Türkiyen partnere kyçe për sigurinë evropiane dhe synon bashkëpunim më të ngushtë për stabilitetin rajonal, NATO-n dhe nismat ndërkombëtare, tha ambasadori italian në Türkiye, Giuseppe Manzo, në një intervistë ekskluzive për Anadolu.

"Ne vërtet besojmë se Türkiye ka rol kyç në sigurinë tonë", tha Manzo, duke theksuar rëndësinë e sigurisë evropiane në kuadër të gjerë të NATO-s. "Mendoj se është e drejtë të thuhet se të dyja palët duam më shumë Evropë në NATO", shtoi ai.

Ambasadori tha se forcimi i bashkëpunimit politik për sigurinë rajonale është ndër prioritetet e tij, duke veçuar samitin e NATO-s, takimin 4+4 dhe COP31 si mundësi për koordinim më të ngushtë. Ai theksoi shqetësimet e përbashkëta lidhur me kërcënimet ndaj krahëve lindorë dhe jugorë të NATO-s.

"Duhet të përshtatemi me sfidat e reja dhe të gjejmë përgjigje të reja për pyetjet dhe kërcënimet e reja", tha ai.

"Mendoj se Italia dhe Türkiye janë shumë mirë të përgatitura për ta bërë këtë", shtoi ai.

Manzo tha se pozitat gjeografike të të dy vendeve, Italia në Mesdhe dhe Türkiyes në kryqëzimin e Evropës me Azinë, ofrojnë mundësi për zhvillimin e qasjeve të reja ndaj sfidave rajonale dhe ndërkombëtare.

"Për nga vetë pozita jonë, ne jemi në një pozicion të favorshëm për të zhvilluar përgjigje dhe mjete të reja për t'u përballur si me problemet e vjetra, ashtu edhe me sfidat e reja", tha ai.

Tregtia, lidhjet kulturore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Ambasadori vuri në pah marrëdhëniet e kahershme mes dy vendeve, të cilat po shënojnë 170-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ai e përshkroi Italinë si partnerin kryesor tregtar të Türkiyes në Mesdhe dhe të dytin më të madh në Evropë.

Manzo theksoi më tej shkëmbimet arsimore dhe kulturore, duke vënë në dukje se studentët turq përbëjnë komunitetin e dytë më të madh të studentëve ndërkombëtarë në Itali. Ai përmendi edhe bashkëpunimin arkeologjik, ku studiues italianë dhe arkeologë turq punojnë së bashku në 15 misione.

Sa i përket qeverisjes ndërkombëtare, Manzo shprehu mbështetjen për reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që ai të jetë "më transparent dhe demokratik".

Ai kujtoi se kishte marrë një libër nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, në të cilin gjendej shprehja "Bota është më e madhe se pesë", duke e cilësuar këtë mesazh si të rëndësishëm për diskutimet mbi reformimin e institucioneve ndërkombëtare.

Ambasadori nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin në fushën e eksplorimit të hapësirës, përfshirë projektet e përbashkëta satelitore dhe udhëtimin në hapësirë të astronautit të parë të Türkiyes, së bashku me astronautë italianë.

Mikëpritje sikur në shtëpi

Duke folur për muajt e parë në Ankara, Manzo vlerësoi mikpritjen turke dhe tha se ishte ndier i mirëpritur që në fillim. "U ndjeva si në shtëpi", tha ai.

Ambasadori, me origjinë nga Napoli, tha se prejardhja e tij mesdhetare e ndihmoi të krijonte lidhje me kulturën turke. Ai e përshkroi Ankaranë si shtëpinë e tij dhe vlerësoi lidhjet historike të Stambollit me Italinë.

Në përfundim, Manzo i përcolli urimet e tij popullit turk me rastin e Ditës së Republikës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë