Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) gjeneral major Ozkan Ulutas, priti në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, në selinë e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë.
Gjatë takimit, komandanti Ulutas dha një pasqyrë të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë, aktiviteteve të vazhdueshme të KFOR-it dhe prioriteteve të tij kryesore në të ardhmen.
Ulutas gjithashtu theksoi kontributin e gjatë dhe të vlefshëm të Shqipërisë në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO.
Në anën tjetër, ministri shqiptar Hoxha pas këtij takimi në rrjetin social “X”, vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
“KFOR-i ka luajtur një rol vendimtar në përballimin e sfidave të sigurisë, veçanërisht përballë akteve shqetësuese dhe kërcënuese në veri të Kosovës, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e stabilitetit dhe në krijimin e kushteve të nevojshme për dialogun, forcimin e institucioneve dhe paqen afatgjatë. Shqipëria është krenare që kontribuon në KFOR me një kontingjent të konsiderueshëm dhe mbetet plotësisht e angazhuar në mbështetje të përpjekjeve të Aleancës në rajon”, shkroi Hoxha.
Ai theksoi se siguria e Kosovës është e pandashme nga interesat kombëtare dhe rajonale të sigurisë së Shqipërisë.























