Franca njoftoi të hënën se pothuajse 900 persona janë arrestuar gjatë trazirave që shpërthyen pasi klubi Paris Saint-Germain fitoi Ligën e Kampionëve për të dytin vit radhazi gjatë fundjavës.
"Kemi pasur më shumë se 890 arrestime. Në total, kjo është 45 për qind më shumë se vitin e kaluar", tha ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, për transmetuesin France Inter, duke shtuar se afro 180 pjesëtarë të forcave të rendit janë lënduar.
Festimet u shoqëruan me përplasje mes të rinjve dhe policisë në Paris dhe qytete të tjera, ndërsa u dogjën automjete dhe u plaçkitën dyqane.
Të dielën në mbrëmje, presidenti francez Emmanuel Macron priti ekipin në Pallatin Élysée. Ndërsa e cilësoi PSG-në si një "burim të jashtëzakonshëm krenarie" për Francën, ai dënoi dhunën që shoqëroi festimet.
"Mjaft. Jemi lodhur nga kjo", tha Macron.
"Ky nuk është futboll, nuk është sport dhe nuk është ajo që ne duam", shtoi ai.
Një person humbi jetën teksa po lëvizte me motoçikletë në unazën e Parisit gjatë festimeve, ndërsa autoritetet raportuan edhe sulme me thikë dhe incidente të tjera të dhunshme.























