| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë
Nga 11-të palë zgjedhje që nga viti 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës, vetëm katër ishin zgjedhje të rregullta, ndërsa shtatë të parakohshme.
Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë
Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë / AA

Të dielën e 7 qershorit 2026 qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhje të parakohshme parlamentare, vetëm disa muaj pasi ata dhanë verdiktin e tyre në zgjedhjet po ashtu të parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Këto zgjedhje janë organizimi i 11-të i zgjedhjeve në nivel nacional nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që nga periudha e pasluftës.

Nga 11-të palë zgjedhje që nga viti 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës, vetëm katër ishin zgjedhje të rregullta, ndërsa shtatë të parakohshme.

Këto zgjedhje, të cilat i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 10,8 milionë euro, vijnë pas një periudhe disamujore të ngërçit politik.

Ngërçi erdhi si pasojë e mungesës së një konsensusi të gjerë politik parlamentar për votimin e presidentit të ri, të cilit i skadoi mandati më 4 prill të këtij viti.

Ish-presidentja Vjosa Osmani e cila zgjodh presidente në prill 2021, pas fitores së Albin Kurtit dhe bashkëpunimit të tyre politik, duke u bërë presidentja e gjashtë e Kosovës, kishte shprehur synimin për një mandat të dytë si presidente, por, përçarja me Kurtin dhe mungesa e mbështetjes nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita, e bënë të pamundur rizgjedhjen e saj, me arsyetimin se nuk do t’i siguronte 80 votat e nevojshme në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi disa emra nga shoqëria civile si kandidatë për presidentë, mirëpo nuk mori përkrahjen e deputetëve të opozitës për emërimin e tyre dhe 67 votat e partisë në pushtet nuk mjaftuan për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për ta çuar vendin automatikisht në zgjedhje të reja, sipas Kushtetutës.

Osmani më 4 prill 2026 ia dorëzoi detyrën kryetares së Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiut, e cila me Kushtetutë ushtron detyrën e presidentes deri në emërimin e presidentit të ri.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që udhëhiqet nga kryeministri aktual në detyrë, Albin Kurti, në këto zgjedhje garon me sloganin "Qitja pikën" dhe synon që të arrijë një maksimum historik të votave, apo 80-të sosh, që ta votojnë presidentin e ri.

Partia e dytë më e madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), synon marrjen e pushtetit qendror për të udhëhequr vendin dhe adresimin e krizave ekonomike e sociale, duke vënë theksin te zhvillimi ekonomik dhe mbështetja për prodhuesit vendorë.

Ish-presidentja Osmani u ribashkua me partinë e vjetër të saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me synimin që t’i fitojnë këto zgjedhje, ajo të rikthehet në pozitën e presidentes, ndërsa kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, të bëhet kryeministër.

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2.092.174 votues ndërsa kjo listë përmban 15.884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2.498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime ku votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë