| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Nis numërimi i votave të diasporës kosovare për zgjedhjet e 7 qershorit
Numri i votuesve të regjistruar për votim me postë ka qenë mbi 104 mijë, ndërsa bashkë me votuesit e regjistruar për votim nga përfaqësitë diplomatike ishin rreth 130 mijë votues.
Nis numërimi i votave të diasporës kosovare për zgjedhjet e 7 qershorit
Nis numërimi i votave të diasporës kosovare për zgjedhjet e 7 qershorit / AA

Në Republikën e Kosovës, përkatësisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar numërimi i votave të qytetarëve nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Në një konferencë për media të enjten, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Kosovës (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se ka nisur numërimi i votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës më 6 qershor.

“Më 6 qershor 2026, në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, është zhvilluar votimi për shtetasit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga këto misione diplomatike. Nga 27.724 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 22.860 prej tyre apo 82,46 për qind dhe këto fletëvotime do të përfshihen në numërim”, tha Elezi.

Ai njoftoi se në QNR-ja po vazhdon edhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi përmes postës, ku tha se ky proces ka filluar më 9 qershor 2026 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar.

“Deri në përfundim të ditës së mërkurë (10 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako, prej të cilave janë aprovuar 22.601, ndërkaq janë refuzuar 755. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha ai.

Sipas KQZ-së, numri i votuesve të regjistruar për votim me postë ka qenë mbi 104 mijë, ndërsa bashkë me votuesit e regjistruar për votim nga përfaqësitë diplomatike ishin rreth 130 mijë votues.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë