Në Tiranë po mbahet sot sesioni hapës i Kongresit Botëror të Ligjit, i cili do të organizohet vitin e ardhshëm në Shqipëri.
Ky event është organizim i Shoqatës Botërore të Juristëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve kryesore ligjore dhe akademike në botë.
Në ceremoninë e hapjes së sesionit ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria u bë epiqendra e një aktiviteti me prestigj botëror në fushën e sundimit të ligjit, sipas tij, për çfarë ajo ka bërë në 10 vitet e fundit.
"Sot Kongresi Botëror i Ligjit është një institucion i mirënjohur botërisht i cili nën kujdesin e Mbretit të Spanjës, Felipe II dhe me punën e palodhur të shoqatës çon nëpër botë mesazhin e pikërisht atij motivi që e lindi shoqatën, mesazhin e një bote të qeverisur nga ligji, jo nga forca", është shprehur Rama.
Rama theksoi se Bashkimi Evropian është burimi më i madh dhe i vetëm në botë për të mësuar si ndërtohen institucionet dhe sipas tij gjithë procesi i integrimit, i negociatave është një proces transferimi i dijes nga Brukseli në Tiranë.
“Nëse Bashkimi Evropian s’do të ishte aty, nëse shqiptarët nuk do ta dëshironin aq shumë Bashkimin Evropian, ne nuk do arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie dhe të vendosnim barazinë para ligjit ose do të arrinim po aq sa kanë arritur afganët apo irakianët pas bombave dhe pas përpjekjeve utopike të Perëndimit dhe të NATO-s për të çuar demokraci në ato vende dhe ndryshimi mes nesh dhe atyre është që ne kemi Bashkimin Evropian, ata nuk e kanë Bashkimin Evropian”, tha Rama.
Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Toni Gogu foli për reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai shtoi se sfida sot nuk është vetëm ndërtimi i institucioneve, por sipas tij ruajtja e besimit tek ato.
Sesioni hapës shënon nisjen e një serie aktivitetesh që do të kulmojnë me organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë në vitin 2027, duke e vendosur Shqipërinë, sipas autoriteteve shqiptare, në qendër të një debati ndërkombëtar mbi drejtësinë dhe demokracinë.






















