Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, deklaroi sot në Bruksel se janë përmbushur si kushtet formale, ashtu edhe ato thelbësore që Sarajevës t’i dërgohet ftesë për anëtarësim në NATO.
Beqiroviq në selinë e NATO-s u takua me zëvendëssekretaren e përgjithshme Radmilla Shekerinska ndërsa në takim mori pjesë edhe anëtari i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq. Në takim u diskutua përparimi i BeH-së drejt anëtarësimit të plotë si dhe sfidat aktuale të sigurisë dhe ato politike.
Gjatë takimit u prezantuan rezultatet që BeH-ja ka arritur në procesin e integrimeve euroatlantike, përfshirë miratimin dhe zbatimin e Programit të Reformave, zbatimin e Programit të Partneritetit të Përshtatur Individual për periudhën 2025–2028 si dhe investimet në modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura të BeH-së.
Bashkëbiseduesit konstatuan se është arritur një shkallë e lartë e ndërveprueshmërisë me forcat e NATO-s, si dhe përparim në forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. U shqyrtuan edhe hapat e mëtejmë në procesin e integrimit, përfshirë nevojën për mbështetje më të fortë politike dhe teknike nga NATO-ja, përshpejtimin e reformave dhe forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të përbashkëta.
Beqiroviq theksoi se ekziston përkushtim institucional dhe konsensus për anëtarësimin në NATO si dhe mbështetje e konsiderueshme nga qytetarët e BeH-së për këtë objektiv strategjik, duke bërë thirrje që Bosnjës e Hercegovinës t’i dërgohet sa më shpejt një ftesë zyrtare për anëtarësim.




















