Ushtria amerikane ka goditur të mërkurën një anije të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor, duke vrarë dy persona, njoftoi Komanda Jugore e ShBA-së (SOUTHCOM).
“Informacionet e inteligjencës konfirmuan se anija po lundronte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor dhe ishte e përfshirë në operacione të trafikimit të narkotikëve”, tha SOUTHCOM-i në një postim në X.
Ajo shtoi se sulmi kishte në shënjestër një anije që operohej nga organizata që ShBA-ja i cilëson si terroriste. “Dy narko-terroristë meshkuj u vranë gjatë këtij operacioni. Asnjë ushtarak amerikan nuk u lëndua”, thuhet në njoftim.
Incidenti është pjesë e një fushate më të gjerë ushtarake kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në rajon, e cila ka shkaktuar më shumë se 200 viktima në mbi 60 sulme që nga shtatori i vitit të kaluar.
Ekspertë ligjorë dhe organizata për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se këto sulme janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare dhe mund të konsiderohen si vrasje jashtëgjyqësore, duke theksuar se ato duket se kanë në shënjestër civilë.























