| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Vazhdon për të katërtën ditë me radhë protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje"
Tensionet filluan pasi protestuesit çanë gardhin e sigurisë të vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke marshuar drejt selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë.
Vazhdon për të katërtën ditë me radhë protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje"
Vazhdon për të katërtën ditë me radhë protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje" / TRT Balkan

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës dhe kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura apo në rastet kur pretendohet pronësia nga qytetarë.

Protesta e radhës me moton "Shqipëria nuk është në shitje", është mbajtur sot në Tiranë duke mbledhur mijëra qytetarë, ndërkohë u shoqërua edhe me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Tensionet filluan pasi protestuesit çanë gardhin e sigurisë të vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke marshuar drejt selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë. Disa protestues pretenduan se ndaj tyre është hedhur edhe spraj djegës.

Ashtu si në protesta e kaluara, protestuesit kanë qëndruar edhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama, ka deklaruar se projekti në Zvërnec po i ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis, ndërkohë ai u ka bërë thirrje protestuesve për bashkëbisedim.

Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërkohë prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.

Protestat janë iniciuar nga aktivistë dhe mbështeten nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe kërkojnë transparencë për projekte të tilla, ndërkohë kanë paralajmëruar vijimin e protestave.