Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka dënuar me nga 25 vite burgim të njehësuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, ndërsa me 18 vite burgim Kadri Veselin dhe 13 vite burgim Rexhep Selimin.
Në ditën vendimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, Trupi Gjykues konstatoi se për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin se kishin dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër kundërshtarëve, veçanërisht për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, keqtrajtimin dhe vrasjen e tyre.
Ndërsa, sipas Trupit Gjykues, me gjithë dijeninë që kishin katërshja udhëheqëse e UÇK-së nuk ndërmorën asnjë hap për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e këtyre krimeve.
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër ish-udhëheqësit e UÇK-së
Gjykata Speciale në Hagë konstaton se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër ish-udhëheqësit e UÇK-së.
“Lidhur me ekzistencën e nja sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit Trupi gjykues Konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
“Ndonëse ekzistonte një politikë ose plan për personat që konsideroheshin kundërshtarë, viktimat u zgjodhën vetëm duke u bazuar në faktorin individual dhe jo bazuar në përkatësinë e tyre në një popullatë civile të shenjëstruar. Trupi gjykues nuk është i bindur se personat e shenjestruar nga anëtarët e UÇK-së në këtë çështje gjyqësore mund të konsiderohen si popullatë civile”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, trupi gjykues ka thënë se incidentet që filluan pas 20 qershorit 1999 mbi të cilat ka pasur akuza për krime lufte nuk mund të cilësohen si krime lufte.
Mbi 5 mijë prova dhe 125 dëshmitarë në procesin gjyqësor
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u arrestuan dhe janë në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë që nga viti 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill të vitit 2023, tre vite pas arrestimit të tyre në Kosovë.
Më 4 prill 2023, në ditën e dytë të gjykimit të tyre, ish-krerët e UÇK-së u patën deklaruar të pafajshëm për pikat e aktakuzës të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Që nga prilli i vitit 2023, për dy vite me radhë, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë për të dëshmuar në sallën e gjyqit, nga të cilët disa me zë dhe figurë ndërsa shumë të tjerë me masa të rrepta mbrojtëse.
Po ashtu, Prokuroria me shkrim dorëzoi edhe 131 dëshmi të tjera pa përfshirë numrin e madh të provave të administruara, që shumë prej tyre ishin siguruar nga strukturat shtetërore të Serbisë.
Për këtë rast, Trupi Gjykues pranoi gjithsej 5.467 prova materiale.
Pjesë e këtij procesi të gjatë u bën edhe ndërkombëtarë të cilët dëshmuan si dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit, sikurse James Rubin, ish-zëvendësi i sekretares së Shtetit Amerikan, Medeleine Albright si dhe gjenerali i pensionuar amerikan i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, Wesley Clark.
Mbrojtja e Veselit dhe Selimit heqën dorë nga kjo e drejtë, kurse e Krasniqit dorëzoi si prova vetëm disa dëshmi me shkrim.





















