| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Nusja mori timonin e taksisë që vjehrri i saj e kishte lënë për shkak të moshës
Merve Aktas, e cila ofron shërbim me taksinë që ka trashëguar nga vjehrri në Amasya, Türkiye, ka fituar vlerësimin e klientëve të saj
Nusja mori timonin e taksisë që vjehrri i saj e kishte lënë për shkak të moshës
Nusja mori timonin e taksisë që vjehrri i saj e kishte lënë për shkak të moshës

Merve Aktas, nënë e tre fëmijëve nga Amasya, po kontribuon në buxhetin familjar duke drejtuar taksinë komerciale që e mori nga vjehrri i saj, i cili u tërhoq nga profesioni për shkak të moshës. 

Merve, 39-vjeçe, e cila më parë drejtonte një sallon parukerie por u detyrua ta mbyllte gjatë periudhës së pandemisë, vendosi të ulet pas timonit pasi i skadoi certifikata profesionale e vjehrrit të saj, Turgut Aktas, i cili kishte punuar si taksist për 15 vjet.

Pasi mori me rezultat të lartë dokumentet e nevojshme, Merve e cila ka 22 vjet përvojë si shofer, nisi të punojë në stacionin e taksive të vjehrrit të saj.

Merve e cila ka krijuar një biznes familjar në stacionin ku kalojnë kohë edhe bashkëshorti, vjehrra dhe fëmijët e saj, fitoi në një kohë të shkurtër vlerësimin e klientëve, veçanërisht të grave dhe ushtarëve që vijnë në qytet, falë përpikërisë, sinqeritetit dhe gatishmërisë për të ndihmuar.

"Po e fitojmë bukën me djersën e ballit"

Merve Aktas tha për Anadolu se taksia është burim jetese për familjen e tyre dhe një trashëgimi nga vjehrri i saj.

"Kur i skadoi certifikata vjehrrit tim, në vend që të merrnim një shofer të huaj, vendosëm ta bëjmë vetë këtë punë. E ngas makinën shumë mirë, kam 22 vjet që drejtoj automjet. Edhe provimin e kualifikimit profesional e kalova në prill me 85 pikë. Taksia jonë është drita e syrit tonë. Disa thonë: 'A bëhet grua shofer?', por unë ndihem shumë krenare. Në fund të fundit, po e fitojmë bukën me djersën e ballit. Kur e kuptojnë se shoferi është grua, habiten shumë. Veçanërisht gratë dhe studentët marrin numrin tim të telefonit. Kur një grua dëshiron, mund të bëjë gjithçka".

Vjehrri i saj, Turgut Aktas, tha se ka punuar prej shumë vitesh në sektorin e transportit.

"15 vitet e fundit punuam si taksist. Tani, për shkak se shikimi nuk më lejon më, ia dorëzova timonin nuses sime. Për fat të mirë ajo erdhi dhe po na ndihmon. Kjo është buka jonë e gojës, duhej ta mbanim patjetër këtë punë. Nuk kishim alternativë tjetër. Prandaj jemi të lumtur që shërbejmë si familje", tha ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë