| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rama: Protestat e ngadalësuan rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë muajit qershor
Kryeministri Edi Rama tha se protestat e muajve të fundit ndikuan në ecurinë e turizmit, duke bërë që rritja e sektorit të ndalej në qershor pas disa muajsh me rezultate pozitive.
Rama: Protestat e ngadalësuan rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë muajit qershor
Rama: Protestat e ngadalësuan rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë muajit qershor

Protestat e muajve të fundit kanë ndikuar në sektorin e turizmit dhe në ekonominë e familjeve që varen prej tij, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar.

Rama tha se bilanci i muajit qershor tregoi një ndryshim në ecurinë e sektorit, ndryshe nga pesë muajt e parë të vitit, kur sipas tij turizmi shënoi rritje të vazhdueshme.

“Pasojat mbi sezonin turistik dhe mbi ekonominë e familjeve që jetojnë me turizmin i tregoi bilanci i fundqershorit, kur për herë të parë pas shumë vitesh, krejt në kundërtendencë me janar-majin që ishin zjarr me rritjen, rritja u ndal në shifrat e qershorit”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se kjo situatë nuk duhet t’u atribuohet protestuesve të sinqertë, duke shtuar se nuk ka menduar t’i etiketojë ata si të nxitur nga faktorë të jashtëm.

Sipas tij, nëpërmjet rrjeteve sociale janë shpërndarë mesazhe dhe përmbajtje që kanë ndikuar në krijimin e një perceptimi negativ për Shqipërinë.

Rama tha se reagimi ndaj këtij fenomeni nuk duhet të jetë etiketimi i qytetarëve, por përmirësimi i mënyrës së komunikimit dhe informimit.

“As më ka shkuar dhe as më shkon në mendje që protestuesit të shpallen agjentë. Përtej rritjes së kapaciteteve të mbrojtjes teknologjike, duhet të reagojmë duke dëgjuar më herët, duke shpjeguar më qartë dhe, mbi të gjitha, me empati për njerëzit”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Ai shtoi se institucionet duhet ta forcojnë mbrojtjen teknologjike, por paralelisht të përmirësojnë komunikimin me qytetarët, për ta shmangur keqinformimin dhe krijimin e perceptimeve të gabuara.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë