Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan sot se një anije transportuese e gazit të lëngshëm të naftës (LPG) u godit dhe mori flakë teksa po përpiqej të kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit përmes një “rruge të paligjshme", transmeton Anadolu.
“Një anije gjigante që transportonte gaz LPG, me emrin NV Sunshine dhe në pronësi të kompanisë Natwit, e cila po përpiqej të kalonte përmes rrugës së paligjshme në jug të Ngushticës së Hormuzit, u godit dhe pësoi zjarr të madh në dhomën e motorit dhe në sistemin e lëvizjes”, tha Garda Revolucionare në një deklaratë të publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
Në deklaratë, “ushtria agresore amerikane” u fajësua për përshkallëzimin e tensioneve në transportin detar në rajon. Garda Revolucionare tha se forcat e saj detare nuk do të lejojnë që “forcat pushtuese” të qëndrojnë në zonë dhe do t’u kundërpërgjigjen “çdo përpjekjeje të armikut për ta cenuar administrimin e saj”.
Incidenti i raportuar ndodhi në një kohë të rritjes së tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, ku Irani ka paralajmëruar anijet të mos përdorin rrugë që nuk janë autorizuar nga Teherani.























