Republika Turke e Qipros së Veriut (RTQV) të enjten kritikoi Bashkimin Evropian për izolimin e turko-qipriotëve që vazhdon prej dekadash, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e RTQV-së tha se referencat e Komisionit Evropian në një letër lidhur me heqjen e izolimit të padrejtë të palës turko-qipriote janë në kundërshtim me realitetin në ishull.
"Letra në fjalë është dëshmia më e qartë se BE-ja nuk do të ndërmarrë as në të ardhmen hapa pozitivë për popullin turko-qipriot", thuhet në deklaratë, ku shtohet se "kjo dëshmon se BE-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj të njëanshëm dhe të pasinqertë për çështjen e Qipros".
Sipas ministrisë, populli turko-qipriot prej vitesh përballet me izolim çnjerëzor dhe embargo që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Kufizimet në arsim, sport, kulturë dhe ekonomi cenojnë të drejtat themelore të tij.
Deklarata thekson se BE-ja po ndihmon në ruajtjen e status quo-së së padrejtë në ishull, duke iu nënshtruar vetove të palës greko-qipriote.
BE-ja nuk tregon “vullnet” për lehtësimin e izolimit
RTQV-ja i cilësoi referencat e Komisionit Evropian ndaj vendimeve të Këshillit Evropian të vitit 2004 si dhe pretendimet për “ndërtimin e urave” dhe “forcimin e dialogut”, si “përpjekje për të krijuar një përshtypje të rreme”.
“BE-ja nuk ka ndërmarrë hapa konkretë dhe nuk ka treguar vullnet politik apo qasje të sinqertë për t’i dhënë fund kufizimeve të padrejta ndaj popullit turko-qipriot”, thuhet në deklaratë. Aty kritikohet mbështetja e BE-së për udhëheqjen greko-qipriote, e cila, sipas RTQV-së, pengon të rinjtë dhe sportistët turko-qipriotë të krijojnë lidhje me botën.
RTQV-ja tha se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj nën strukturën e vet shtetërore, me mbështetjen e Türkiyes, pavarësisht embargove dhe pengesave. Ajo theksoi se deklaratat e BE-së për “vullnet të mirë” nuk do të kenë vlerë për sa kohë që embargot nuk hiqen plotësisht dhe nuk njihen barazia sovrane dhe statusi i barabartë ndërkombëtar i turko-qipriotëve.
Një problem që zgjat prej dekadash
Qiproja është përfshirë prej dekadash në një mosmarrëveshje mes greko-qipriotëve dhe turko-qipriotëve, pavarësisht përpjekjeve të OKB-së për një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Sulmet etnike që nisën në fillim të viteve 1960 i detyruan turko-qipriotët të tërhiqeshin në enklava për sigurinë e tyre.
Në vitin 1974, një grusht shteti nga greko-qipriotët, që synonte bashkimin e ishullit me Greqinë, çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiyes si fuqi garantuese, për të mbrojtur turko-qipriotët nga dhuna dhe persekutimi. Si rezultat, në vitin 1983 u themelua RTQV-ja.
Një përpjekje për paqe në vitin 2017 në Zvicër, nën kujdesin e Türkiyes, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, dështoi. Administrata greko-qipriote iu bashkua BE-së në vitin 2004, po atë vit kur greko-qipriotët bllokuan një plan të OKB-së për zgjidhjen e konfliktit.























