| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Tre të vrarë në sulmet ndaj aeroportit "Mbreti Khalid" në Riad të Arabisë Saudite
Shkalla e lëndimeve varion nga të lehta deri në të rënda ndërsa personat e prekur u transportuan menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
Tre të vrarë në sulmet ndaj aeroportit "Mbreti Khalid" në Riad të Arabisë Saudite
Tre të vrarë në sulmet ndaj aeroportit "Mbreti Khalid" në Riad të Arabisë Saudite

Arabia Saudite ka njoftuar se tre shtetas të saj u vranë në dy sulme të kryera dje, të cilat shënjestruan aeroportin ndërkombëtar "Mbreti Khalid" në kryeqytetin Riad dhe një avion të kompanisë "Saudia Airlines".

Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil në  X bëri të ditur se sulmi i parë shënjestroi objektet e aeroportit ndërsa i dyti goditi një avion të kompanisë kombëtare ajrore. Autoriteti tha se ekipet e emergjencës reaguan menjëherë ndaj sulmeve, të cilat plagosën gjithashtu “një numër shtetasish dhe banorësh të kombësive të ndryshme”.

Sipas deklaratës, shkalla e lëndimeve varionte nga të lehta deri në të rënda, ndërsa personat e prekur u transportuan menjëherë në spital për trajtim mjekësor. Sulmet shkaktuan gjithashtu dëme materiale. Zyrtarët njoftuan edhe rifillimin e aktiviteteve operacionale në aeroport, duke bërë të ditur se trafiku ajror ishte kthyer në normalitet.

Televizioni shtetëror Al Ekhbariya raportoi se operacionet e fluturimeve në aeroport rifilluan dje, në orën 18:00 me kohën lokale. Në një deklaratë tjetër, "Saudia Airlines" konfirmoi se incidenti “shkaktoi dëme në një prej avionëve të saj, i cili ndodhej në tokë në aeroport”, duke shtuar se në momentin e incidentit nuk kishte pasagjerë në bord.

Kompania ajrore bëri të ditur se një prej punonjësve të saj humbi jetën nga sulmet, duke shprehur “ngushëllimet më të thella” për familjen e viktimës. Autoritetet saudite nuk identifikuan përgjegjësit për sulmin, i cili ndodhi në një kohë kur kanë rifilluar luftimet mes forcave qeveritare të Jemenit dhe rebelëve Huthi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë