| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e Presidentit dhe as të Qeverisë
“Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë duhet të jetë dialogu, kompromiset dhe bisedimet dhe kurrë spastrimi etnik…”, tha Vuçiq.
Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e Presidentit dhe as të Qeverisë
Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e Presidentit dhe as të Qeverisë / AA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se deklarata e ministres për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviq, nuk e pasqyron vullnetin dhe politikën as të presidentit dhe as të Qeverisë së Serbisë.

Vuçiq theksoi se politika e udhëheqjes shtetërore të Serbisë bazohet në dialog, paqe dhe stabilitet, e jo në spastrim etnik.

“Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë duhet të jetë dialogu, kompromiset dhe bisedimet dhe kurrë spastrimi etnik. Pikë. Tani, vetë Snezhana (Paunoviq) është viktimë e spastrimit etnik dhe kështu me radhë, por ky mesazh duhet të jetë krejtësisht i qartë: politika jonë është plotësisht ndryshe. Pra, politika jonë është paqja, stabiliteti dhe jo spastrimi etnik”, tha Vuçiq në një deklaratë për mediat serbe në Kiev.

Ai komentoi gjithashtu vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta shpallur Paunoviqin persona non grata.

“Prishtina secilin prej nesh e ka shpallur persona non grata. Prishtina ia ndaloi hyrjen Ana Bërnabiqit edhe për të marrë pjesë në pagëzimin privat të një fëmije në Manastirin e Graçanicës. Prandaj, ajo që e thotë Prishtina nuk është relevante për askënd. A nuk ishte ai që fliste për përfshirjen time në ‘Sarajevo Safari’, i cili gjithmonë ka gënjyer brutalisht për serbët, ndërkohë që merret me spastrimin etnik të serbëve? Në fund, rezultati është se etnikisht janë spastruar më shumë se 250 mijë serbë, e jo shqiptarë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se deklarata e Paunoviqit ishte e pamatur dhe jo mjaftueshëm e përgjegjshme.

“Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika as e imja dhe as e Qeverisë së Serbisë. Është detyra jonë ta themi këtë qartë. Sa u përket të tjerëve që na japin leksione, më mirë të mos flasin fare. Kaq kam për t’ju thënë. Ne duhet të jemi të drejtë me veten. Unë vetë u kam kërkuar falje njerëzve për deklaratat e mia. Prandaj, është mirë që gjërat të shqyrtohen me kujdes dhe të reagohet me kohë”, shtoi Vuçiq.

Të hënën, ministrja Paunoviq deklaroi se po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

“Po të isha në vendin e Millosheviqit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën. Kjo është deklarata më e rëndë që e kam bërë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si ata duan të na likuidojnë ne, por në atë mënyrë që të mos ndiheshin pjesë e Serbisë dhe të shkonin në shtetin e tyre amë”, tha Paunoviq.

Paunoviq, e lindur në Pejë të Kosovës, prej kohësh njihet për qëndrimet e saj të ashpra lidhur me çështjen e Kosovës.

Pas kësaj deklarate për një medie serbe, ajo u shpall persona non grata në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmoi se Paunoviqit i është ndaluar përgjithmonë hyrja dhe tranziti nëpër territorin e Kosovës.

“Si ministër i Punëve të Brendshme i Kosovës, sot kam marrë vendim me të cilin Snezhana Paunoviq shpallet persona non grata, person i padëshiruar, me ndalim të përhershëm të hyrjes ose tranzitit nëpër Republikën e Kosovës”, shkroi Sveçla në Facebook.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë