Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan e ka përshkruar përpjekjen e dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016 si një moment vendimtar në historinë moderne të Türkiyes, duke e quajtur atë "deklaratë pavarësie" për Shekullin e Türkiyes.
Në një artikull të titulluar "15 Korriku: Deklarata e Pavarësisë e Shekullit të Türkiyes", botuar me rastin e 10-vjetorit të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, Erdoğan tha se grushti i dështuar i Organizatës Terroriste Fetullah (FETÖ) nuk ishte thjesht një përpjekje për të përmbysur qeverinë, por edhe një sulm ndaj pavarësisë dhe vullnetit demokratik të kombit.
"15 korriku nuk ishte vetëm nata kur u pengua një përpjekje tinëzare për grusht shteti, por edhe një fitore e madhe për demokracinë, e shkruar me shkronja të arta në histori, sepse kombi ynë mbrojti vullnetin, demokracinë dhe pavarësinë e vet me çmimin e jetës”, shkroi ai.
253 të vrarë, mbi 2.000 të plagosur
Erdoğan tha se populli turk iu përgjigj thirrjes së tij për të dalë në rrugë me të njëjtin frymë që karakterizoi Luftën e Pavarësisë së vendit, duke shtuar se 253 njerëz humbën jetën dhe mbi 2.000 u plagosën ndërsa i bënin rezistencë përpjekjes për grusht shteti.
Ai tha se thirrja e tij për rezistencë publike pasqyroi besimin e tij në "mençurinë demokratike, largpamësinë dhe guximin" e kombit.
Duke reflektuar mbi dekadën që ka kaluar që nga përpjekja për grusht shteti, Erdoğani tha se autoritetet kanë zhvilluar një fushatë të papërkulur kundër FETÖ-s, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
"E kemi çrrënjosur FETÖ-n nga çdo sektor, nga burokracia dhe ushtria e deri te drejtësia dhe bota e biznesit”, tha ai, duke theksuar se lufta nuk ka përfunduar.
"E vetmja mënyrë për të parandaluar që FETÖ-ja dhe organizata të fshehta të ngjashme të depërtojnë sërish në shtetin dhe kombin tonë, është që fryma e 15 korrikut të mbahet e gjallë dhe kjo ndërgjegje t'u përcillet brezave të ardhshëm”, shkroi ai.
"Türkiye ka dalë më e fortë gjatë dekadës së kaluar"
"Vazhdojmë luftën tonë kundër FETÖ-s dhe të gjitha organizatave të ngjashme terroriste me të njëjtën vendosmëri. Në 10-vjetorin e 15 korrikut, Türkiye tani është shumë më e fortë, më e vendosur dhe më e bashkuar”, ha ai.
"Përderisa fryma e 15 korrikut mbetet e gjallë në këto troje, askush nuk duhet të dyshojë se planet tradhtare të tradhtarëve dhe lojërat e ndyra të trurave globalë që qëndrojnë pas tyre, nuk do të kenë sukses kurrë”, shtoi ai.
Presidenti turk Erdoğan përfundoi duke nderuar ata që humbën jetën gjatë përpjekjes për grusht shteti dhe duke u lutur që uniteti dhe solidariteti i Turkiye të vazhdojnë të qëndrojnë.
Më poshtë mund të lexoni artikullin e tij të plotë:
Njëra nga përpjekjet më brutale për grusht shteti në historinë politike të Republikës së Türkiyes ndodhi saktësisht dhjetë vjet më parë, më 15 korrik 2016. Qëllimi i kësaj përpjekjeje për grusht shteti, të kryer nga një rrjet terrorist që ishte infiltruar tinëzisht në institucionet e shtetit tonë, ishte ta zhyste Türkiyen në një periudhë të gjatë kaosi dhe ta vinte të ardhmen e popullit tonë nën kontrollin e vet. Populli ynë fisnik, i cili u ngrit me vendosmëri për të mbrojtur pavarësinë dhe të ardhmen e vet, nëpërmjet rezistencës së tij heroike i tregoi të gjithë botës se në këto troje vullneti i popullit nuk mund të robërohet. Guximi, trimëria dhe mençuria që populli turk shfaqi natën e 15 korrikut përbëjnë pa dyshim një ngjarje të pashembullt edhe në historinë e demokracisë botërore.
Kjo përpjekje tradhtare, e kryer nga Organizata Terroriste Fetullah (FETÖ), nuk ishte thjesht një përpjekje e zakonshme për grusht shteti, por një tentativë gjithëpërfshirëse pushtimi që përbënte një kërcënim serioz për pavarësinë e vendit tonë. Objektivat e para të pushtuesve ishin Kompleksi Presidencial dhe Kuvendi i Madh Kombëtar i Republikës së Türkiyes, institucione që simbolizojnë vullnetin kombëtar dhe pavarësinë e shtetit tonë. Në fjalimin tim atë natë të 15 korrikut, theksova se nuk kisha njohur kurrë ndonjë forcë më të madhe se forca e popullit. Ndërsa i shqiptoja këto fjalë, isha i bindur se populli turk do të ngrihej për të mbrojtur vullnetin e vet. Vërtet, atë natë populli ynë, i mbushur me besim të thellë dhe siguri në vetvete, doli masivisht në rrugë dhe refuzoi t'i nënshtrohej organizatës terroriste. I gatshëm të jepte edhe vetë jetën për të mbrojtur pavarësinë e atdheut, arritjet demokratike dhe vullnetin e lirë, populli ynë e ktheu mbrapsht sulmin e pushtuesve dhe shkroi një epope të vullnetit kombëtar që do të përcillet me krenari brez pas brezi.
Të frymëzuar nga guximi i popullit tonë, edhe ne ndërmorëm menjëherë hapa për të eliminuar sa më shpejt pasojat negative të kësaj përpjekjeje tradhtare. Zbatuam pa vonesë reforma strukturore që parandaluan çdo strukturë të infiltruar, nëpërmjet mekanizmave jopolitikë brenda institucioneve shtetërore, të rrezikonte funksionimin demokratik të shtetit. Më pas arritëm suksese të rëndësishme në operacionet e zhvilluara brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me strategjinë tonë për eliminimin e organizatave të tjera terroriste kundër të cilave luftojmë. Së fundmi, nisëm procesin "Türkiye pa Terror", i cili përbën një kapitull të ri në historinë tonë të bashkimit dhe solidaritetit. Ky proces, një nga shtyllat themelore të vizionit tonë "Shekulli i Türkiyes", falë qasjes gjithëpërfshirëse, përpjekjeve të institucioneve kompetente të sigurisë dhe mbështetjes së aktorëve politikë, po ecën me hapa të sigurt drejt objektivit të tij. Besoj se suksesi i procesit "Türkiye pa Terror" do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin jo vetëm të vendit tonë, por të gjithë rajonit.
Si rezultat i luftës sonë kundër atyre që u përpoqën të kryenin grusht shteti, të drejtuar edhe kundër prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë, ne hodhëm hapa të fuqishëm drejt një të ardhmeje më të begatë nëpërmjet projekteve të realizuara në fushat e energjisë, transportit, shëndetësisë, bujqësisë, teknologjisë dhe industrisë së mbrojtjes. Nëpërmjet Nismës Kombëtare Teknologjike, të nisur në dhjetë vitet e fundit, bëmë një hap të fuqishëm përpara në industrinë e mbrojtjes, aviacionit dhe hapësirës. Zhvilluam sisteme transporti elektrike dhe të mençura, ndërsa nëpërmjet investimeve të mëdha në shëndetësi dhe bujqësi u përpoqëm të ishim të denjë për sakrificën e popullit tonë. Në këtë periudhë zhvilluam gjithashtu produkte që fituan njohje ndërkombëtare. Ndër to spikasin veçanërisht automobili ynë elektrik TOGG, avioni ynë luftarak kombëtar KAAN, korvetat tona kombëtare dhe mjetet ajrore pa pilot.
Nga ana tjetër, gjatë dhjetë viteve të fundit Türkiye, falë qasjes së saj proaktive në politikën e jashtme, u dallua si një aktor me ndikim në zgjidhjen e krizave dhe konflikteve rajonale e globale. Në të gjitha zonat e krizave qëndruam në krah të të shtypurve dhe atyre që kishin të drejtë, jo në krah të më të fortit, dhe nuk iu shmangëm përgjegjësisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit. Kudo që ka pasur shtypje apo padrejtësi, ne kemi qenë zëri i së drejtës ndërkombëtare, drejtësisë dhe ndërgjegjes. Nëse sot Türkiye përshkruhet si një vend, kontributi i të cilit kërkohet, fjala e të cilit besohet dhe mendimi i të cilit respektohet në çështjet rajonale e globale, pas këtij suksesi qëndron vullneti i popullit tonë fisnik, i cili natën e 15 korrikut ishte gati të jepte jetën për pavarësinë dhe të ardhmen e tij.
Lufta kundër terrorizmit, e cila kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, mbetet ndër prioritetet më të rëndësishme të politikës sonë të jashtme. Dihet se procesi i shpërbërjes së strukturës organizative të FETÖ-s jashtë vendit është përshpejtuar gjatë dy viteve të fundit. Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se disa shtete vazhdojnë, qoftë edhe në mënyrë të fshehtë, t'i japin mbështetje kësaj organizate dhe t'u ofrojnë strehim anëtarëve të saj. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj veçanërisht se është e domosdoshme të ruhet vigjilenca ndaj FETÖ-s, një organizatë e cila, për të realizuar qëllimet e veta, e konsideron të lejueshme çdo mjet, është e aftë të marrë çdo formë dhe nuk ngurron të keqpërdorë koncepte si demokracia, liria dhe të drejtat e njeriut. Si një popull që natën e 15 korrikut humbi 253 qytetarë, të vrarë si martirë nga pushtuesit, pritshmëria jonë themelore nga bashkësia ndërkombëtare është që të japë mbështetje për luftën e drejtë të Republikës së Türkiyes. Paqja, siguria dhe prosperiteti global mund të arrihen vetëm nëpërmjet një lufte të vendosur dhe të papërkulur kundër të gjitha organizatave terroriste, pa asnjë lloj diskriminimi, si dhe nëpërmjet një bashkëpunimi ndërkombëtar të sinqertë.





















