| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Presidenca siriane urdhëron shkurtimin e shpenzimeve dhe forcimin e disiplinës fiskale
Pagat, shpenzimet thelbësore për shëndetësinë, arsimin, ujin, energjinë dhe sigurinë përjashtohen nga masat.
Presidenca siriane urdhëron shkurtimin e shpenzimeve dhe forcimin e disiplinës fiskale
Presidenca siriane urdhëron shkurtimin e shpenzimeve dhe forcimin e disiplinës fiskale

Presidenca siriane sot udhëzoi institucionet qeveritare të racionalizojnë shpenzimet publike, të shkurtojnë shpenzimet e panevojshme dhe të forcojnë disiplinën fiskale "në rrethanat aktuale".

Sekretariati i Përgjithshëm i Presidencës udhëzoi institucionet qeveritare të "racionalizojnë shpenzimet publike, të reduktojnë shpenzimet e panevojshme dhe të riorganizojnë prioritetet e projekteve të investimeve sipas nevojës dhe fizibilitetit të tyre, duke siguruar që funksionet kryesore të institucioneve publike të mos preken", raportoi agjencia arabe siriane e lajmeve (SANA).

Pagat dhe mëditjet si dhe shpenzimet e nevojshme për mirëmbajtjen e shërbimeve shëndetësore, arsimore, të ujit, energjisë, sigurisë dhe sigurisë publike, do të përjashtohen nga shkurtimet. Mirëmbajtja e nevojshme operative dhe parandaluese gjithashtu do të përjashtohet nga masat, në përputhje me përpjekjet për forcimin e disiplinës fiskale dhe përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të burimeve publike.

Presidenca urdhëroi rivlerësimin e projekteve të miratuara të investimeve sipas nivelit të nevojës, duke u dhënë përparësi projekteve që lidhen me vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore, sigurinë publike dhe mbrojtjen e aseteve dhe infrastrukturës kritike.

Sekretariati i Përgjithshëm tha se masat synojnë "ruajtjen e ekuilibrit të buxhetit të shtetit, forcimin e disiplinës fiskale, përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve dhe orientimin e alokimeve në dispozicion drejt prioriteteve dhe shërbimeve thelbësore".

Ai e theksoi nevojën për rishikimin e fushave të shpenzimeve që mund të reduktohen në mënyrë që të krijohen kursime në fondet publike, pa ndikuar në vazhdimësinë e punës së institucioneve qeveritare. Udhëzimi vjen në një kohë kur autoritetet siriane po përpiqen të stabilizojnë sektorët ekonomikë dhe të shërbimeve publike të vendit pas 14 vitesh revolucioni kundër regjimit të Bashar al-Assadit.

Sektorët kryesorë, përfshirë shëndetësinë, arsimin, ujin dhe energjinë elektrike, vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha për shkak të dëmeve të mëdha në infrastrukturë dhe shkatërrimit të mijëra objekteve të shërbimeve gjatë luftës së zhvilluar nga regjimi i Assadit ndërsa qeveria po përpiqet t'i përmirësojë kushtet në gjithë vendin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë