Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar dhe Autoriteti i Aviacionit Civil Kroat nënshkruan në Tiranë një marrëveshje mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e aviacionit civil.
Marrëveshja parashikon shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, bashkëpunimin teknik, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e mbikëqyrjes së sigurisë në aviacion.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, bashkëpunimi synon ruajtjen e standardeve të larta të sigurisë, zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit dhe integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në sistemin europian të aviacionit.
Kroacia, si vend anëtar i Bashkimit Europian, do të kontribuojë me përvojën e saj në zbatimin e kuadrit rregullator europian në sektorin e aviacionit civil.
Marrëveshja krijon një bazë për bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet dy autoriteteve, përmes ndarjes së njohurive, praktikave profesionale dhe përvojës teknike.























