Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë e ka caktuar 16 shtatorin si datë për shpalljen e vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Katër udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit dhe janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Në vendimin për të caktuar këtë datë, trupi gjykues ka thënë se e ka shtyrë datën për shkak të vëllimit të madh të provave.
“Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.
Paraprakisht, data finale brenda së cilës pritej vendimi ishte 20 korriku.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve filloi më 3 prill të vitit 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill të vitit 2025.
Trupi Gjykues mbylli fazën e paraqitjes së provave më 18 dhjetor të vitit 2025. Në këtë çështje gjyqësore kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga ekipet e Mbrojtjes.




















