| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Maqedonia e Veriut ashpërson kushtet për përdorimin e trotinetëve elektrikë
Ndryshimi kryesor ka të bëjë me shpejtësinë e lejuar të lëvizjes së mjeteve të lehta elektrike. Me ligjin e ri parashihet që shpejtësia maksimale të jetë 20 kilometra në orë, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Maqedonia e Veriut ashpërson kushtet për përdorimin e trotinetëve elektrikë
Maqedonia e Veriut ashpërson kushtet për përdorimin e trotinetëve elektrikë/ AA

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në kuadër të seancës së 106-të, miratoi me procedurë të shkurtuar ndryshimet në Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor, të cilat rregullojnë pjesëmarrjen e trotinetëve elektrikë në komunikacion.

Me këto ndryshime ripërcaktohet edhe nocioni "mjet i lehtë elektrik", duke marrë parasysh përvojat krahasuese të disa vendeve të rajonit, si dhe paraqitjen e mjeteve të reja në treg, kategori ku bëjnë pjesë edhe trotinetët elektrikë.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është kufizimi i shpejtësisë së këtyre mjeteve në 20 km/orë, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian për rregullimin e trafikut të këtij lloji të mjeteve.

Për të ulur numrin e shkeljeve të kryera me trotinetë elektrikë, ligji parashikon edhe ashpërsimin e kushteve për përdorimin e tyre. Kufiri minimal i moshës rritet, kështu që trotinetët elektrikë do të mund të drejtohen vetëm nga persona mbi 18 vjeç.

Po ashtu, ashpërsohet politika ndëshkuese për shkelësit. Përveç gjobave, në raste të caktuara parashihet edhe konfiskimi i mjetit, nëse bëhet fjalë për drejtues të mitur, tejkalim të shpejtësisë së lejuar, transportim të një personi tjetër ose drejtim të trotinetit nën ndikimin e alkoolit.

Ndryshimet përfshijnë edhe përshtatjen e dispozitave për kundërvajtje në përputhje me këto risi ligjore.