Të paktën 9 persona, përfshirë 4 fëmijë u vranë sot në një sulm amerikano-izraelit në Teheran.
Televizioni shtetëror i Iranit tha se sulmi kishte në shënjestër dy ndërtesa banimi në lagjen Shahriar të kryeqytetit. Sulmi vrau 9 persona dhe plagosi 4 të tjerë si dhe shkaktoi shembjen e të dyja ndërtesave, tha transmetuesi.
Më herët sot, mediat iraniane njoftuan se sulmet amerikano-izraelite gjatë natës në Teheran dhe qytetin e Qomit vranë të paktën 34 persona.
Irani nuk ka publikuar numër zyrtar të përgjithshëm të viktimave nga lufta. Megjithatë, Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në ShBA (HRANA) raportoi se 3.540 persona janë vrarë.
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tha të premten se të paktën 1.900 civilë janë vrarë dhe 20 mijë të tjerë janë plagosur.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt.
Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane. Irani gjithashtu ka kufizuar lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, një kalim jetësor për dërgesat e naftës dhe gazit.



















