Kusadasi është një qytet i njohur për plazhet, turizmin dhe historinë e tij të lashtë. Por, përtej rrugëve të tij të ngarkuara dhe bregdetit, ky qytet i Egjeut është gjithashtu shtëpia e traditave që kanë mbijetuar për breza të tërë.
Një prej tyre është zanati i prodhimit të çizmeve me pala fizarmonike, të cilat dikur mbaheshin nga pronarët e pasur të tokave dhe luftëtarët legjendarë Efe të Türkiyes Perëndimore. Sot, megjithatë, kjo traditë po zhduket ngadalë.
Mustafa Karpuzcu është mjeshtri i fundit i çizmeve me pala në qytetin e Kusadasisë. Pasi e mësoi zanatin nga babai i tij që në moshën 6-vjeçare, ai ka kaluar dekada duke prodhuar çizme unike prej lëkure të punuara me dorë në një punishte të vogël, duke përdorur teknika të trashëguara brez pas brezi.
“Dikur kishte shumë artizanë dhe mjeshtra përveç meje”, thotë Karpuzcu për TRT World. “Por tani, unë jam i vetmi që kam mbetur”.
Ndërsa mjeshtrit e moshuar ndërrojnë jetë dhe më pak të rinj zgjedhin të mësojnë këtë tregti, Karpuzcu e sheh si përgjegjësi të tij mbajtjen gjallë të një pjese të trashëgimisë kulturore të Egjeut.
Kjo trashëgimi shtrihet thellë në Kusadasi. Përgjatë mijëra viteve, qyteti është formësuar nga qytetërime që variojnë nga Jonianët dhe Lidianët tek Persianët, Romakët dhe Bizantinët, ndërsa monumentet si Kalaja Guvercinada dhe karvanserai historik pasqyrojnë rëndësinë e tij gjatë epokës Osmane.
E megjithatë, gjurmët e së kaluarës së rajonit mbijetojnë jo vetëm në arkitekturën e tij, por edhe në traditat si ajo e prodhimit të çizmeve me pala fizarmonike.
Çizmet prej lëkure të punuara me dorë janë të lidhura ngushtë me Efetë, luftëtarët legjendarë gjysmë-ushtarakë të Türkiyes perëndimore, të njohur për guximin, nderin dhe ndjenjën e tyre të fortë të drejtësisë. Gjatë Luftës për Pavarësinë e Türkiyes, Efetë u kthyen në simbole të fuqishme të rajonit, dhe çizmet e tyre të veçanta në stil harmonike u bënë një nga elementet më të identifikueshme të identitetit të tyre.
Çizmet ishin të famshme për tingullin e tyre kërcitës, i cili dikur paralajmëronte ardhjen e pronarëve të pasur të tokave dhe figurave të shquara lokale përpara se ata të shfaqeshin tek qoshet e rrugës.
"Çizmet me pala bliheshin nga pronarët e tokave, fisnikët dhe të pasurit. Të premteve, që konsiderohej dita e pushimit në Kusadasisë, pronarët e tokave vishnin çizmet e tyre dhe shkonin në kafenenë tradicionale ose vizitonin një mik", tregon Karpuzcu për TRT World.
"Ne i bënim çizmet kërcitëse sipas preferencave të tyre. Kur pronari i tokës ecte, çizmet lëshonin një tingull kërcitës. Ne bënim çizme aq të bukura, dhe njerëz zemërmirë i vishnin ato", thotë Karpuzcu.
Njerëzit besonin se çizmet i jepnin mbajtësit vetëbesim, forcë dhe prestigj, sipas Karpuzcusë. Madje edhe kërcitja e çizmeve kishte një kuptim, duke pasqyruar statusin dhe praninë e atij që i mbante.
Çdo palë çizme të këtij stili bëhej tërësisht me dorë nga materiale natyrale dhe duke përdorur teknika të trashëguara ndër breza. Shtresa e jashtme hartohej nga lëkurë lope tejet e qëndrueshme, ndërsa pjesa e brendshme vishej me lëkurë të butë deleje për rehati. Çdo palë bëhej me masë, ku lëkura pritej, qepet dhe jepet formë sipas përmasave të këmbës dhe kofshës së klientit.
Pjesët e veçanta të palosura si fizarmonikë shërbenin për një qëllim praktik, ashtu si edhe për një simbolikë. Ato ndihmonin në qarkullimin e ajrit brenda çizmeve, duke e bërë kalërimin më të rehatshëm.
Çizmet u bënë të njohura edhe si "çizmet kërcitëse" për shkak të tingullit që bënin gjatë ecjes. Mjeshtrit artizanë linin qëllimisht hapësira të vogla midis shtresave të lëkurës për të krijuar atë kërcitje karakteristike.
Trajnim me pasion
Duke u rritur në punishten familjare i rrethuar nga lëkura, mjetet prej druri dhe këpucët e punuara me dorë, Karpuzcu filloi të mësonte prodhimin e çizmeve nga i ati që në moshën gjashtëvjeçare. Më vonë, ai u trajnua nën drejtimin e kryemjeshtrit të çizmeve, Sukru Bicakci.
“Nuk mund të flas kurrë askund pa i përmendur ata. Këta janë mjeshtrit e mi. Ata janë njerëzit që më formësuan në çdo mënyrë, në këtë zanat, në jetë dhe në mënyrën se si nisa rrugëtimin tim", thotë Karpuzcu.
"Nuk mund të tregohesha kurrë mosmirënjohës ndaj askujt prej tyre. Kjo nuk do të ishte kurrë e drejtë. Të gjitha mjetet që shihni këtu janë të trashëguara nga im atë. Nuk kam rreshtur kurrë së përdoruri asnjë nga këto mjete. Shumë vegla të reja po prodhohen tani, por unë nuk i përdor ato. Unë ende përdor mjetet e babait tim", shton ai.
Ai thotë se kjo tregti nuk mund të mësohet vetëm nga udhëzimet. Përkundrazi, kërkon vite vëzhgimi, durimi dhe praktike. Karpuzcu kujton se ka kaluar jetën e tij duke punuar me lëkurën, një pasion që vazhdon të formësojë rutinën e tij të përditshme. Madje edhe sot, thotë ai, ndonjëherë sheh në ëndërr dizajne të reja çizmesh gjatë natës.
Përkushtimi i tij për të ruajtur këtë zanat mori njohje kombëtare në vitin 2025, kur ai u përfshi në inventarin “Thesaret e Gjalla Njerëzore të Türkiyes” dhe mori një çmim nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
E megjithatë, Karpuzcu thotë se arritja e tij më e madhe nuk do të ishte një çmim, por të shihte brezat e rinj duke e vazhduar traditën pas tij.
Tradita që po zhduket
Sot, kjo traditë shekullore po zbehet ngadalë. Shumë nga mjeshtrit e vjetër kanë ndërruar jetë, ndërsa më pak të rinj janë të gatshëm të kushtojnë kohën dhe durimin e kërkuar për të mësuar këtë zanat.
Në Kusadasi, Karpuzcu tani punon kryesisht vetëm, i vendosur për ta mbajtur traditën gjallë.
"Tani për tani, ndihem vetëm këtu. Dua që të trajnohen më shumë artizanë, punëtorë dhe nxënës. Nuk dua që ky zanat të zhduket”, thotë Karpuzcu për TRT World.
“Të rinjtë duhet të studiojnë, të marrin arsimimin e tyre dhe të bëjnë çfarë të duan në jetë. Por ata gjithashtu duhet të kenë një zanat apo aftësi si kjo në dorë. Një zanat është diçka e vlefshme që e mbart me vete për tërë jetën”.




















