Kompania turke Roketsan po merr pjesë në panairin e mbrojtjes "MSPO 2026" në Poloni, me synimin për ta zgjeruar më tej praninë e saj në ekosistemin evropian të mbrojtjes përmes partneriteteve të reja.
Aktiviteti zhvillohet nga e marta deri të premten në qytetin Kielce në jugperëndim të Polonisë, duke mbledhur vendimmarrës dhe profesionistë të industrisë nga e gjithë bota.
Roketsan po ekspozon MAM-L IIR dhe MAM-T IIR nga grupi i municioneve për mjetet ajrore pa pilot (UAV), raketën balistike supersonike ajër-tokë IHA-230, kompletin udhëzues Teber dhe raketën e drejtuar me lazer Cirit, si dhe armët antitank Karaok, L-OMTAS dhe UMTAS-GM.
Drejtori ekzekutiv i Roketsanit, Murat Ikinci, tha se bashkëpunimet në fushën e mbrojtjes janë shumë të rëndësishme, veçanërisht mes Türkiyes dhe Polonisë.
“Po e ndjekim nga afër modernizimin e Polonisë në sektorin e mbrojtjes dhe kujdesin e saj për mundësitë e bashkëpunimit gjatë këtij transformimi, pasi kapacitetet e Roketsan janë në nivel që kontribuon në kapacitetet kolektive të parandalimit dhe mbrojtjes së Evropës dhe NATO-s”, tha ai.
“Ne po zhvillojmë zgjidhje plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe vazhdojmë të forcojmë partneritetet tona me vendet aleate, ndaj MSPO është platformë jashtëzakonisht e vlefshme për thellimin e lidhjeve tona ekzistuese dhe zhvillimin e mundësive të reja për bashkëpunim”, shtoi ai.
Roketsan po ekspozon gjithashtu sistemin e raketave të mbrojtjes ajrore Sungur dhe municionin e artilerisë të drejtuar me lazer LG-155 si dhe raketa të ndryshme dhe sisteme të tjera armësh.























