Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov shprehu sot mbështetjen e vendit të tij për Türkiyen, ndërsa ajo po përgatitet të presë Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31).
Bayramov tha se ekspertë dhe politikanë janë mbledhur në kryeqytetin azerbajxhanas për t’I trajtuar ndryshimet klimatike dhe pasojat e tyre të gjera ndërsa CW4 synon ta ruajë vrullin drejt COP31.
"Në këtë periudhë të një detyre të përbashkët, dëshiroj të rikonfirmoj mbështetjen e palëkundur vëllazërore të Azerbajxhanit për Turqinë ndërsa ajo përgatitet të presë COP-in e ardhshëm", tha Bayramov në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes së Javës së 4-t të Klimës (CW4), në kuadër të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, në Baku.
Duke e cilësuar bashkëpunimin mes presidencave të COP29 dhe COP31 si një model të solidaritetit rajonal, Bayramov tha se ky bashkëpunim shërben për ta siguruar vazhdimësinë e agjendës klimatike, për të zhvilluar mekanizma ambiciozë të financimit klimatik dhe për të avancuar në mënyrë të qëndrueshme veprimet globale për klimën.
Bayramov tha se Azerbajxhani është i gatshëm të vazhdojë të luajë rol aktiv në "nxitjen e përparimit në agjendën klimatike dhe më gjerë", duke përmendur masat "vendimtare" në vend, si zgjerimi i kapacitetit të energjisë së rinovueshme.
Ai tha se Baku mbetet i përkushtuar të luajë rol aktiv në avancimin e diplomacisë klimatike dhe fushave të lidhura me të në nivel ndërkombëtar.
COP31 do të mbahet në qytetin jugor turk Antalya nga 9 deri më 20 nëntor, duke mbledhur zyrtarë të lartë dhe ekspertë nga e gjithë bota që punojnë në fushën e ndryshimeve klimatike. Azerbajxhani priti edicionin e vitit 2024 të konferencës së OKB-së.





















