| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Liqenet e Erzurumit të rrethuar nga bora në verë, destinacion unik për dashamirësit e natyrës
Yedigöller, shtrihet në malin Verçenik, në jug të maleve Ovit dhe Kaçkar. Zona, në një lartësi prej rreth 3.200 metrash mbi nivelin e detit, u ofron vizitorëve pamje të veçanta me 12 liqenet e saj.
Liqenet e Erzurumit të rrethuar nga bora në verë, destinacion unik për dashamirësit e natyrës
Liqenet e Erzurumit të rrethuar nga bora në verë, destinacion unik për dashamirësit e natyrës. / AA

Liqenet në rrethin Ispir të provincës Erzurum në Türkiye, të rrethuara me borë edhe gjatë stinës së verës, janë ndër destinacionet më të preferuara të adhuruesve të natyrës falë bukurive të rralla natyrore, florës së pasur dhe mundësive për kampim.

Yedigöller, që ndodhet rreth 200 kilometra nga qendra e Erzurumit dhe 45 kilometra nga qendra e rrethit Ispir, shtrihet në malin Verçenik, në jug të maleve Ovit dhe Kaçkar. Zona, në një lartësi prej rreth 3.200 metrash mbi nivelin e detit, u ofron vizitorëve pamje të veçanta me 12 liqenet e saj të madhësive të ndryshme, të krijuara nga shkrirja e borës.

Në Yedigöller, ku në disa pika shtresa e borës ruhet deri në fund të muajit korrik, vizitorët kalojnë kohë në natyrë duke ngritur kampe. Zona tërheq gjithashtu edhe pasionantët e fotografisë me pamjet ku ndërthuren majat e mbuluara me borë, lulet shumëngjyrëshe dhe gjelbërimi i natyrës.

Në mesin e bimëve endemike që gjenden në Yedigöller janë tulipanët e përmbysur dhe zymbylat vjollcë. Zona është gjithashtu habitat për shumë kafshë të egra, si dhia e egër malore, rrëqebulli, ujku dhe ariu i murrmë. Me biodiversitetin e pasur, rajoni mirëpret si të pasionuarit pas sporteve në natyrë, ashtu edhe ata që kërkojnë qetësi.

- Shijojnë notin në liqenet që ushqehen nga ujërat e borës

Pas pastrimit të rrugës nga bora, alpinistët dhe dashamirët e natyrës kanë filluar të vizitojnë zonën për të ngritur kampe.

Bülent Erkan, 46 vjeç nga Erzurumi, i njohur mes alpinistëve si "Djali i Maleve", i cili prej rreth 30 vitesh kalon pjesën më të madhe të kohës në maja, tha për Anadolu se kjo zonë ia vlen të vizitohet.

Ai theksoi se për të arritur në zonë duhet të përshkohen terrene të vështira dhe shtoi: "Në disa vende bora nuk shkrihet, madje mund të bjerë borë në çdo muaj të vitit. Ky është një rajon i ndjeshëm që duhet mbrojtur patjetër. Këtu vijnë alpinistë dhe sportistë për kampim. Vijnë edhe adhuruesit e sportit dhe adrenalinës. Disa madje notojnë këtu. Ne kemi notuar në ujin e borës; ishte shumë bukur dhe kënaqësi e madhe. Këtu telefoni nuk ka rrjet, kështu që shkëputesh nga bota. Vizitorët kalojnë natën në kamp dhe gjejnë qetësi duke qenë në zemër të natyrës".

"Mund ta përshkruajmë si 'një copëz parajse'"

Tarık Baba tha se kishte ardhur për kampim nga Giresuni së bashku me tetë miq.

"Është hera e parë që vijmë. Përshkuam 350 kilometra. Na pëlqeu shumë ky vend. E kishim parë në rrjetet sociale, por pamë diçka edhe më të bukur se sa prisnim. Mund ta përshkruajmë si 'një copëz parajse'", tha ai.

Alpinisti Emrullah Ceylan tha se e konsideron këtë rajon si një mrekulli të botës.

"Udhëtoj vazhdimisht në male, por këtë vend e adhuroj. Është jashtëzakonisht i bukur. I ftojmë të gjithë ta vizitojnë këtë trevë", u shpreh ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë