Kuvendi i Shqipërisë pritet të mbajë sot seancë plenare, me në fokus procesin e integrimit europian, përafrimi i legjislacionit ekonomik me standardet e Bashkimit Evropian dhe veprimtaria vjetore e institucioneve të pavaruara e të drejtësisë gjatë vitit 2025.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 16 korrikut dhe me njoftimet.
Një nga çështjet kryesore e rendit të ditës do të jetë paraqitja e Raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025. Raporti do të prezantohet nga bashkëkryetarët e Këshillit, në zbatim të ligjit që përcakton rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, që ka si synim përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ekonomik.
Gjatë seancës pritet të diskutohen dhe të votohen edhe tetë projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe organeve të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.
Në rendin e ditës janë përfshirë raportet dhe projektrezolutat për Avokatin e Popullit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Për secilën çështje parashikohet prezantimi i raportit nga drejtuesi i institucionit përkatës, paraqitja e projektrezolutës nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, si dhe zhvillimi i debatit parlamentar, nëse kërkohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.





















