| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Fillon afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Nisjes së afatit kushtetues 30-ditor i hapi rrugë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.
Fillon afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Fillon afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës / AA

Deputetët e Legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, nga e enjtja ka nisur afati kushtetues i 30 ditëve për konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e rinj kanë kohë për konstituimin e legjislaturës së re deri më 7 gusht, një detyrim që buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Nisjes së afatit kushtetues 30-ditor i hapi rrugë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.

Bazuar në rezultatin zyrtar: Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti fituese me 53 deputetë në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës me 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 dhe 20 ulëset e komuniteteve pakicë janë ndarë ndërmjet 11 partive të ndryshme.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke mos dhënë datë specifike, ka deklaruar se në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve.

“Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje i takon e drejta për propozimin e kryetarit të Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ndërsa bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, nëse kandidati nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër.

Pas këtij hapi, duhet të zgjidhen nënkryetarët që një i takon LVV-së, PDK-së, një LDK-së, një komunitetit serb dhe një komuniteteve të tjera joshumicë.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin që zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët e tij. Ndërkaq, me themelimin e Kuvendit, i hapet rruga krijimit të qeverisë së re dhe pas saj edhe emërimit të presidentit.

Për të nisur afatet për formimin e ekzekutivit duhet së pari që presidenti të mandatojë kandidatin për kryeministër. Pastaj ai ose ajo ka kohë 15 ditë që të marrë besimin e deputetëve.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri, deputetët kanë kohë 60 ditë për emërimin e tij, që nga dita kur konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kandidat për kryeministër edhe për një mandat nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar këto javë se menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve do të nisin negociatat me partitë politike për formimin e institucioneve.

Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë e vetme qeverinë e re, mirëpo i duhet ndihma nga partitë tjera, për votimin e presidentit të ri. Për presidentin e ri sipas Kushtetutës duhen 80 vota në dy runde, apo në rundin e tretë duhet të jenë të pranishëm në sallë 80 deputetë ndërsa 61 prej tyre të votojnë një kandidat/e.

LVV-ja dështoi të gëzojë mbështetjen e partive tjera për presidentin e ri gjatë marsit të këtij viti dhe ky ishte shkaku që vendi automatikisht shkoi në zgjedhje të reja, të tretat zgjedhje të nivelit nacional të mbajtura brenda një viti e gjysmë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë