Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë vlerësuar rëndësinë historike të delegatëve të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar Deklaratën Kushtetuese si një nga aktet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë, në 36-vjetorin e nënshkrimit të saj.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë veprimi, por nuk pranoi të trajtohej si krahinë e Serbisë.
Sipas Haxhiut, përmes Deklaratës së 2 Korrikut, Kosova u përpoq të fliste në emër të vet dhe të kërkonte liri, e jo privilegje politike.
"Atë ditë delegatët e Kosovës e dëshmuan këtë duke folur në emër të Kosovës edhe jashtë sallës së Kuvendit. Pa atë skenë, nuk mund të kuptohet drejt 2 korriku. Regjimi mendonte se kishte ndalur një mbledhje të Kuvendit, ndërkaq kishte lënë pas një pamje që Kosova nuk do ta harronte kurrë, delegatë që qëndronin jashtë sallës por që kishin hyrë brenda historisë", u shpreh Haxhiu.
Ajo tha se Serbia synonte më shumë se qeverisjen e Kosovës, synonte ta linte pa zë politik dhe pa mundësi që të shfaqej si subjekt më vete dhe kundër kësaj u ngrit Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut.
- Shpallje normuese dhe juridike të Republikës së Kosovës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi Deklaratën e 2 Korrikut 1990 si shpallje normuese dhe juridike të Republikës së Kosovës. Ai tha se ky akt, i miratuar në Prishtinë dhe i pasuar nga zhvillimet e mëvonshme kushtetuese e politike, shënoi fillimin e republikës së rezistencës dhe hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës.
"Pa Republikën e Kosovës të vitit 1990 dhe aktet e tjera pasuese, nuk do ta bënim pavarësinë në vitin 2008", deklaroi Kurti, duke vlerësuar se rrugëtimi drejt shtetit të pavarur u ndërtua mbi vendimet dhe sakrificat e asaj periudhe historike.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u miratua nga deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës para ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë, pasi autoritetet serbe ua kishin pamundësuar hyrjen.
Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e barabartë në kuadër të federatës jugosllave, duke kundërshtuar heqjen e autonomisë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Deklarata konsiderohet një nga aktet themeluese të shtetësisë së Kosovës dhe i hapi rrugën miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990.























