| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut synojnë përmirësimin e lidhjeve të transportit
Në takimin e mbajtur në Podgoricë u vlerësua se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe miqësore, me dialog politik të vazhdueshëm, por me hapësirë të madhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut synojnë përmirësimin e lidhjeve të transportit
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut synojnë përmirësimin e lidhjeve të transportit

Forcimi i lidhjeve të transportit, përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe integrimi evropian ishin në qendër të bisedimeve midis ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, njoftoi të premten qeveria malazeze.

Në takimin e mbajtur në Podgoricë u vlerësua se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe miqësore, me dialog politik të vazhdueshëm, por me hapësirë të madhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të lidhjeve të transportit, e cila u vlerësua si kusht i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, të turizmit dhe të shtakimit tregtar.

Në këtë kontekst, palët biseduan për vendosjen e lidhjes ajrore të Podgoricës dhe Tivatit me Shkupin, si dhe për mundësitë e zhvillimit të transportit hekurudhor dhe të përmirësimit të lidhjeve rajonale infrastrukturore.

Ivanoviq theksoi rëndësinë e lidhjes më të fortë mes subjekteve ekonomike dhe të përdorimit më efikas të mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit dypalësh, me realizimin e projekteve konkrete të përbashkëta.

Palët biseduan edhe për integrimin evropian, duke nënvizuar se përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është me rëndësi kyç për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. U theksua nevoja për vazhdimin e proceseve të reformave dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, duke ruajtur një politikë të besueshme dhe të parashikueshme të zgjerimit të BE-së.

Në takim u konfirmua gatishmëria e të dyja palëve për vazhdimin e dialogut të hapur dhe konstruktiv dhe për konkretizimin e nismave që do të kontribuonin në lidhje më të mira transporti, në lidhje më të forta ekonomike dhe në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë