| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kompania turke SYS nënshkruan marrëveshje me Kosovën për furnizim me 100 mjete të blinduara
Në SAHA 2026, SYS prezantoi gjithashtu vizionin për një “ekosistem të integruar të mbrojtjes”, që përfshin sisteme të zhvilluara nga UNIROBOTICS.
Kompania turke SYS nënshkruan marrëveshje me Kosovën për furnizim me 100 mjete të blinduara
Kompania turke SYS nënshkruan marrëveshje me Kosovën për furnizim me 100 mjete të blinduara / AA

Kompania turke e mbrojtjes Samsun Yurt Savunma (SYS) ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Kosovën për pajisjen e mjeteve të blinduara ekzistuese.

“Do të pajisim 100 mjete tokësore me frëngji dhe topa 30x113 mm. Marrëveshja kap vlerën mbi 50 milionë dollarë”, bëri të ditur kryetari i SYS, Zafer Aral. 

Aral shtoi se Türkiye ka arritur një pozicion të ri në industrinë globale të mbrojtjes, ndërsa luftërat po zhvendosen drejt sistemeve pa pilot dhe armëve me kosto të ulët.

“Luftërat po zhvillohen tashmë me mjete pa pilot tokësore, detare dhe ajrore me kosto të ulët dhe me armët më efektive që ato mund të mbajnë”, tha ai.

Kompania turke e mbrojtjes SYS nis eksportet e mitralozit të rëndë kundër-dron

Kompania turke e mbrojtjes Samsun Yurt Savunma (SYS) ka nisur eksportet e jashtme të CANiK M3 FALCON, një mitraloz i rëndë i gjeneratës së re i projektuar për të neutralizuar dronët dhe mjetet ajrore pa pilot nga helikopterët, bëri të ditur drejtuesi i kompanisë.

Mitralozi i kalibrit 12.7x99 mm u prezantua për herë të parë në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore SAHA 2026 në Istanbul, ku kompanitë turke të mbrojtjes po shpalosin sisteme të reja dhe po nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare bashkëpunimi.

Duke folur për Anadolu, kryetari i SYS, Zafer Aral, tha se CANiK M3 FALCON është projektuar posaçërisht për fushëbetejën moderne, ku dronët me kosto të ulët dhe municionet bredhëse janë kthyer në një kërcënim të madh operacional.

“CANiK M3 FALCON është një dizajn i zhvilluar tërësisht kundër dronëve, veçanërisht atyre të tipit Shahed, për t’i neutralizuar nga helikopterët,” tha ai. “Aktualisht po përdoret në mënyrë efektive. Dërgesat e para janë bërë drejt Pakistanit dhe Azerbajxhanit.”

Aral theksoi se sistemi u mundëson helikopterëve të reagojnë ndaj dronëve të zbuluar nga radarët, duke shtuar se dronët e tipit Shahed mund të fluturojnë me rreth 250 kilometra në orë, një shpejtësi që helikopterët mund ta ndjekin.

“Kur radarët i zbulojnë këta dronë, helikopterët ngrihen, hapin dyert dhe mund t’i neutralizojnë plotësisht me FALCON”, tha ai.

Ai shtoi se ky koncept i ri i luftës tashmë ka kaluar nga faza e prezantimit në përdorim operacional.

Mbi 40 sisteme për Azerbajxhanin

Aral bëri të ditur se kërkesa për këtë sistem është rritur pas konflikteve të fundit, të cilat kanë theksuar nevojën për zgjidhje të lëvizshme dhe me kosto të ulët kundër dronëve.

Sipas tij, arma arrin një ritëm zjarri deri në 1.200 fishekë në minutë dhe është përshtatur për përdorim nga ajri pas kërkesave nga jashtë.

Dërgesat e mbi 40 sistemeve CANiK M3 FALCON për integrim në më shumë se 20 helikopterë në Azerbajxhan kanë nisur, ndërsa produktet e para janë dërguar edhe në Pakistan.

Ai shtoi se janë bërë edhe përgatitje për përdorimin e sistemit në helikopterin turk Gökbey, me testime të përfunduara në Konya në bashkëpunim me kompaninë Aselsan.

Sipas tij, SYS-i është në kontakte të vazhdueshme me vende nga Gjiri, Azia Juglindore dhe Afrika që kërkojnë zgjidhje për këtë realitet të ri të fushëbetejës.

Arkitekturë e integruar e mbrojtjes ajrore

Në SAHA 2026, SYS prezantoi gjithashtu vizionin për një “ekosistem të integruar të mbrojtjes”, që përfshin sisteme të zhvilluara nga UNIROBOTICS.

Ndër to është Arkitektura e Shpërndarë Mobile e Mbrojtjes Ajrore me shtresa, që kombinon stacionet e armëve të kontrolluara në distancë TRAKON, mitralozët e rëndë CANiK dhe sistemin e topave VENOM LR në një rrjet të vetëm të integruar.

Ky sistem synon të krijojë dominim në distanca të ndryshme kundër kërcënimeve moderne nga dronët dhe ka tërhequr interes nga delegacione të huaja për shkak të kostos relativisht të ulët.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë