| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Kremlini: Rusia dëshiron që Irani të mbetet pjesë e traktatit bërthamor
"Ne nuk do të donim që Irani të tërhiqej nga NPT. Shpresojmë që Irani të mbetet palë e rëndësishme dhe përgjegjëse në këtë traktat", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Kremlini: Rusia dëshiron që Irani të mbetet pjesë e traktatit bërthamor
Kremlini: Rusia dëshiron që Irani të mbetet pjesë e traktatit bërthamor

Rusia i kërkoi sot Iranit të mbetet "palë përgjegjëse" në Traktatin e Mospërhapjes (NPT) pas deklaratave nga Teherani se kërkon të tërhiqet nga traktati bërthamor.

Duke folur me gazetarët gjatë konferencës për mediat, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska ka dëgjuar deklarata mbi mundësinë e tërheqjes së Teheranit nga NPT nga Ali Nikzad, nënkryetari i Parlamentit iranian dhe se këto komente kërkojnë sqarime të mëtejshme.

"Ne nuk do të donim që Irani të tërhiqej nga NPT. Ne e konsiderojmë NPT-në si gurthemelin e regjimit të mospërhapjes. Shpresojmë që Irani të mbetet palë e rëndësishme dhe përgjegjëse në këtë traktat", tha Peskov.

Komentet e zëdhënësit vijnë ndërsa mediat iraniane, përfshirë transmetuesin shtetëror IRIB, raportuan të hënën se Nikzad ka thënë se parlamenti i vendit do të shqyrtojë një mocion "urgjence të trefishtë" për t'u tërhequr nga NPT.

Sipas raportimeve, Nikzad deklaroi se Teherani nuk ka besim te Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) si dhe te shefi i IAEA-së, Rafael Grossi, sepse ai kryen "inspektime vetëm sipërfaqësore dhe paraqet raporte negative kundër Iranit".

Ai u citua të ketë thënë se mocioni është aktualisht në shqyrtim dhe do të diskutohet në të njëjtën ditë që do të paraqitet zyrtarisht, duke shtuar se parlamenti do t'i shqyrtojë implikimet ndërkombëtare të këtij veprimi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë