Nga 29 shtaroi 2026 ka hyrë në fuqi marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe katër shteteve anëtare të Shoqatës Evropiane për Tregti të Lirë (EFTA): Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Nëpërmjet një organizimi nga Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë (MINT), të martën në Prishtinë u informuan bizneset për detajet dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.
Ministrja e MINT-it, Mimoza Kusari-Lila, tha se me këtë marrëveshje fuqizohet edhe më shumë partneriteti i Kosovës me shtetet e EFTA-s.
"Nga kjo sjellim një partneritet të fuqishëm ekonomik të Republikës sonë me këto shtete dhe padyshim me zbatimin e kësaj marrëveshje, ky partneritet fuqizohet edhe më tej dhe me efektet edhe në marrëdhëniet tona diplomatike...Besoj që ky është një fillim i mbarë jo vetëm për Republikën në përgjithësi, por edhe për të gjitha bizneset në veçanti të cilat shohin dhe kërkojnë zgjerimin e tregjeve", tha Kusari-Lila.
Duke folur për shkëmbimet aktuale tregtare, Kusari-Lila bëri me dije se gjatë vitit 2025 eksportet e mallrave të Kosovës drejt vendeve të EFTA-s tejkaluan 100 milionë euro, duke përbërë 11 për qind të eksporteve të përgjithshme të vendit dhe krahasuar me vitin 2024, eksportet shënuan rritje prej 15 për qind.
Kusari-Lila theksoi se Zvicra përbën 91 për qind të eksporteve totale të Kosovës drejt vendeve anëtare të EFTA-s.
Ndërkaq, importet nga këto vende gjatë vitit 2025 arritën në rreth 53 milionë euro, duke përbërë 0,8 për qind të importeve të përgjithshme të Kosovës. Në krahasim me vitin paraprak, ato shënuan rritje prej 20,4 për qind.
Ndërsa ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin e cilësoi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme.
"Si dikush që sapo ka arritur së fundmi në Kosovë, vështirë se do të mund të kërkoja një rast më të mirë për një nga ngjarjet e mia të para. Kështu që, jam shumë e lumtur që jam këtu, është një kënaqësi e vërtetë. Dhe ne po shënojmë këtë arritje të rëndësishme në marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe vendeve të EFTA-s", tha ajo.























