| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Prishtinë, hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit
Udhëheqës të institucioneve në vend, bashkë me organizatorët dhe dhjetëra qytetarë, u mblodhën në ceremoninë hapëse të këtij edicioni, i cili sivjet organizohet nën moton “Libri hap botën”.
Prishtinë, hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit
Prishtinë, hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit

Në platonë e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë është hapur sot edicioni i 26-të i Panairit të Librit.

Udhëheqës të institucioneve në vend, bashkë me organizatorët dhe dhjetëra qytetarë, u mblodhën në ceremoninë hapëse të këtij edicioni, i cili sivjet organizohet nën moton “Libri hap botën”.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, kërkoi mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën kulturore dhe organizimin e panaireve. Ai tha se përmes librit, breza të tërë njerëzish kanë ruajtur, përcjellë dhe pasuruar përvojat, emocionet, dijet dhe historitë e tyre.

“Libri nuk është thjesht një grumbull faqesh të shtypura, është porta drejt botëve të panumërta, udhëtimi përtej kohës dhe hapësirës, mundësia për të mësuar, për të reflektuar dhe për të komunikuar me mendjet më të ndritura që ka njohur njerëzimi”, theksoi Zeneli.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se panairi i librit është ndër ngjarjet e rralla ku libri del në qendër të vëmendjes publike. Ajo tha se edhe në Kosovë, si në shumë vende të botës, leximi po përballet me rënie të vëmendjes, trysninë e ekranit dhe ndryshimin e shprehive.

“Një vend që e vendos librin në hapësirën publike, qoftë edhe për disa ditë, tregon se ende e njeh peshën e fjalës së shkruar. Por, mirënjohja për këtë punë të madhe nuk na liron që ta shohim gjendjen me kujdes. Duhet të flasim edhe për vendin që libri nuk po e zë në jetën tonë të përditshme. Leximi është një nga mënyrat e para se njeriu mëson ta kuptojë botën përtej vetes”, theksoi Haxhiu.

Në këtë edicion marrin pjesë rreth 100 botues shqiptarë, ndërsa do të prezantohen afro 2 mijë tituj të rinj dhe rreth 6 mijë tituj të botuar gjatë viteve të fundit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë