Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur shpresën që marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të arrihet sa më shpejt, duke e cilësuar atë të rëndësishme për ecjen përpara të vendit.
Siç raportojnë mediat lokale, pas takimit të së shtunës mbrëma ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haxhiu ka thënë se përmbyllja e marrëveshjes do të mundësonte vazhdimin e proceseve të rëndësishme për Kosovën.
“Unë uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecim përpara”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Kosova përballet me një sërë përgjegjësish dhe reformash që duhet të vazhdojnë, duke veçuar edhe obligimet në kuadër të proceseve integruese.
“Le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për këtë proces të rëndësishëm”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje do të ishte e rëndësishme për vazhdimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO, si dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
Kurti dhe Abdixhiku janë takuar sërish të shtunën mbrëma, në një takim të paparalajmëruar, por pas përfundimit të tij nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e bisedimeve.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”, ka deklaruar shkurt Kurti pas takimit.






















