Zëvendëspresidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz, u takua të premten me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, në Pallatin Saadabad në Teheran.
Yılmazi udhëtoi drejt Iranit për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore për liderin e ndjerë suprem të vendit, Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet amerikano-izraelite në fund të shkurtit.
Në një deklaratë në platformën turke të mediave sociale NSosyal, Yılmazi tha se Türkiye “e ndan thellësisht dhimbjen” e përjetuar nga “populli vëlla iranian” gjatë periudhës së fundit.
“Si Türkiye, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në përpjekjet për ta bërë paqen dhe stabilitetin të qëndrueshëm në rajonin tonë, për të forcuar kanalet e dialogut dhe për të mbështetur procesin e normalizimit pas luftës”, tha ai.
Yılmazi tha se Türkiye do të vazhdojë të punojë me homologët iranianë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, veçanërisht në ekonomi, tregti, energji dhe transport.
Ai falënderoi Pezeshkianin për pritjen dhe i shprehu ngushëllime shtetit dhe popullit iranian.
“Lutem për mëshirën e Allahut për të gjithë vëllezërit tanë iranianë që humbën jetën, veçanërisht për liderin suprem Ali Khamenei, dhe edhe një herë i shpreh durim dhe ngushëllime shtetit iranian dhe popullit mik e vëlla të Iranit”, tha Yılmaz.
Ceremonitë mortore për liderin e ndjerë suprem zhvillohen nga 3 deri më 9 korrik në disa qytete të Iranit.























