| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Samiti i NATO-s në Ankara filloi me Forumin e Industrisë së Mbrojtjes
Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, i cili filloi në ATO Congresium, do të jetë aktiviteti industrial me shtrirjen më të gjerë në historinë e NATO-s.
Samiti i NATO-s në Ankara filloi me Forumin e Industrisë së Mbrojtjes
Samiti i NATO-s në Ankara filloi me Forumin e Industrisë së Mbrojtjes

Samiti i 36-të i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, i organizuar nga Türkiye, filloi me Forumin e Industrisë së Mbrojtjes, ku në plan të parë do të jenë prodhimi transatlantik i mbrojtjes dhe investimet në këtë fushë.

Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, i cili filloi në ATO Congresium, do të jetë aktiviteti industrial me shtrirjen më të gjerë në historinë e NATO-s.

Krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s do të takohen më 8 korrik në Kompleksin Presidencial.

Sot në Kompleksin Presidencial do të organizohen aktivitete ku do të marrin pjesë ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm të NATO-s.

Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, i cili është konceptuar si aktivitet anësor i NATO-s gjatë 3-4 viteve të fundit, po zhvillohet për herë të parë në Türkiye brenda programit zyrtar të samitit.

Sipas programit të publikuar nga NATO, në Forum, ku pritet të bëhet një njoftim i rëndësishëm, është planifikuar të mbajnë fjalime zëvendëspresidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz, ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Në kuadër të Forumit, ku do të organizohen sesione të ndryshme lidhur me industrinë e mbrojtjes, pritet të bëjnë deklarata edhe Rutte dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte, deklaroi se rritja e prodhimit të industrisë së mbrojtjes do të jetë ndër temat më të rëndësishme të Forumit.

Ankara mirëpret liderët botërorë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të Samitit të 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, do të zhvillojë takime me liderë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, presidenten e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin e Finlandës Alexander Stubb, presidentin e Sllovakisë Peter Pellegrini, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin kanadez Mark Carney, kryeministrin shqiptar Edi Rama, presidentin bullgar Rumen Radev, kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajic, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian Antonio Costa.

Në kuadër të samitit, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes do të takohen gjithashtu në dreka pune.

Në kuadër të Iniciativës së Bashkëpunimit të Istanbulit, e cila u zbatua në Samitin e NATO-s në Istanbul në vitin 2004 dhe përfshin Katarin, Bahrejnin, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, do të zhvillohet një sesion i veçantë në nivel ministrash të jashtëm dhe do të mbahet Takimi i Ministrave të Jashtëm të Iniciativës së Bashkëpunimit të Istanbulit të NATO-s.

Në samit, një nga pritshmëritë kryesore është që aleatët të japin mesazh uniteti dhe solidariteti pavarësisht tensioneve të rritura kohët e fundit në marrëdhëniet transatlantike.

Ndër pikat kryesore të agjendës janë marrja e rolit udhëheqës nga Evropa në mbrojtjen konvencionale dhe ndërtimi i vizionit “NATO 3.0”, i cili parashikon rishikimin e pranisë ushtarake të ShBA-së në Evropë.

Në samitin ku do të diskutohet edhe e ardhmja e mbështetjes për Ukrainën, pritet që aleatët të marrin zotime për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe kapaciteteve të prodhimit të industrisë së mbrojtjes.

Samiti i NATO-s në Ankara do të jetë samiti i NATO-s me pjesëmarrjen më të madhe të mediave ndërkombëtare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë