| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kos kritikon ndryshimet në Ligjin për Specialen: Bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe kjo është e papranueshme”, tha Komisionerja Marta Kos.
Kos kritikon ndryshimet në Ligjin për Specialen: Bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së
Kos kritikon ndryshimet në Ligjin për Specialen: Bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka thënë se miratimi i Ligjit për ndryshime në Dhomat e Specializuara të Kosovës, bie ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe janë të papranueshme.

Duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos kritikoi ndryshimin e rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.

“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe kjo është e papranueshme”, tha Kos.

Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me çdo standard ndërkombëtar të sundimit të ligjit.

“Dhe, mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara, ne po ecim përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk do të jenë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha Kos.

Deklarata e komisioneres evropiane vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor Projektligjin për ndryshime në Gjykatën Speciale, që synon të kufizojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke ngushtuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave penale që ato mund të trajtojnë.

Ndër tjerash ato parashohin edhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë