Gazeta Zyrtare e Türkiyes publikoi të shtunën një rregullore të re për verifikimin e moshës së përdoruesve të rrjeteve sociale, e cila ndalon platformat t’u ofrojnë shërbime fëmijëve nën moshën 15-vjeçare.
Sipas rregullores, të hartuar nga Presidenca për Sigurinë Kibernetike, verifikimi i moshës do të kryhet përmes portalit qeveritar e-Devlet.
Ofruesit e shërbimeve të rrjeteve sociale nuk do të lejohen t’u ofrojnë shërbime fëmijëve nën moshën 15-vjeçare. Ndërsa llogaritë e përdoruesve që kanë mbushur 15 vjeç do t’u nënshtrohen rregullave të posaçme, të cilat marrin parasysh interesin më të mirë të fëmijës, si dhe zhvillimin e tij fizik, mendor, psikologjik, shoqëror dhe emocional.
Rregullorja kërkon që platformat të zbatojnë si parazgjedhje cilësimet më të rrepta të privatësisë në llogaritë e fëmijëve, t’i bëjnë ato private dhe të çaktivizojnë transmetimet e drejtpërdrejta dhe reklamat e personalizuara.
Platformat duhet gjithashtu të sigurojnë që fëmijët të mund të marrin mesazhe vetëm nga llogaritë që ndjekin, si dhe të fshehin nga përdoruesit e tjerë listat e ndjekësve dhe të llogarive që ndjekin.
Përveç kësaj, platformat do të detyrohen të ofrojnë mjete të kontrollit prindëror, përmes të cilave prindërit mund të menaxhojnë cilësimet e llogarive të fëmijëve, të caktojnë kufizime kohore për përdorimin dhe të miratojnë transaksionet me pagesë.
Rregullorja pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor. Verifikimi i moshës për llogaritë ekzistuese duhet të përfundojë deri më 31 mars 2027, ndërsa llogaritë që rezultojnë se u përkasin përdoruesve nën moshën 15-vjeçare do të mbyllen.























